Intensifikohen përpjekjet për diplomaci mes Iranit dhe SHBA-së, shefi i ushtrisë së Pakistanit mbërrin në Teheran për bisedime
Diplomacia Iraniane konfirmoi të mërkurën në mbrëmje se ka marrë dhe po shqyrton propozimin më të fundit të Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund luftës, ndërsa tensionet në rajon mbeten të larta dhe kërcënimet mes palëve vazhdojnë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, deklaroi për televizionin shtetëror se Teherani ka marrë qëndrimet amerikane përmes ndërmjetësimit të Pakistan dhe aktualisht po i shqyrton ato. Megjithatë, ai theksoi se ekziston “mosbesim i madh” ndaj Uashingtonit.
Irani ka përsëritur kërkesat e tij kryesore, përfshirë lirimin e aseteve iraniane të ngrira jashtë vendit dhe heqjen e bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane. Deklaratat erdhën pas vizitës së dytë brenda pak ditësh në Teheran të ministrit të Brendshëm pakistanez, Mohsen Naqvi, i cili po luan rol ndërmjetësues në krizë.
"We're going to end that war very quickly. They want to make a deal so badly. They're tired of this"
President Trump predicts a deal to end the war with Iran is going to happen "fast" — and that oil prices will plummet when the agreement is reached. pic.twitter.com/Q0t8Bp8RWx
— Fox News (@FoxNews) May 19, 2026
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ende ekziston hapësirë për diplomaci, por paralajmëroi se situata ndodhet “në prag” mes një marrëveshjeje dhe rifillimit të konfliktit.
“Ose arrijmë një marrëveshje, ose marrim masa më të ashpra”, tha Trump para gazetarëve në Bazën Ajrore Andrews pranë Uashingtonit, duke shtuar se përgjigjet nga Teherani duhet të jenë “100% të kënaqshme”. Sipas presidentit amerikan, një marrëveshje mund të arrihet shumë shpejt dhe do t’i kursente Iranit “kohë, energji dhe jetë”.
Shpresat për përparim në negociata kanë ndikuar edhe në tregjet ndërkombëtare, ku çmimet e naftës ranë ndjeshëm. Nafta Brent ra me mbi 5%, ndërsa bursat evropiane dhe amerikane u mbyllën në rritje.
Ndërkohë, raportime nga mediat amerikane sugjerojnë se presidenti Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kanë pasur një bisedë të tensionuar lidhur me propozimin për t’i dhënë fund luftës. Sipas Axios dhe Wall Street Journal, Netanyahu ka reaguar ashpër ndaj diskutimeve për kompromis me Iranin.
Nga ana iraniane, zyrtarët kanë refuzuar ultimatumet amerikane. Kryenegociatori iranian, Mohammad Bayer Ghalibaf, deklaroi se Irani “nuk do të tërhiqet për shkak të frikësimit” dhe paralajmëroi se vendi po përgatitet për t’iu përgjigjur çdo sulmi të ri.
Edhe Trupa e Gardës Iraniane kërcënoi se në rast rifillimi të luftës, konflikti do të shtrihet “shumë përtej rajonit”.
Lufta, e cila shpërtheu pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Teheranit më 28 shkurt, ka shkaktuar mijëra viktima dhe tronditje të forta në ekonominë globale. Një rol kyç në krizë vazhdon të luajë Ngushtica e Hormuzit, arteria kryesore për transportin e naftës dhe gazit nga Lindja e Mesme.
Top Channel