Izraeli godet Bejrutin për herë të parë pas armëpushimit me Hezbollahun, në shënjestër ishte një komandat i lartë

07/05/2026 11:18

Izraeli ka ndërmarrë një sulm ajror në Bejrut për herë të parë që pas armëpushimit me Hezbollahun, duke goditur periferinë jugore të kryeqytetit libanez, zonën e njohur si Dahieh.

Sipas ushtrisë izraelite, objektivi i sulmit ishte një komandant i lartë i forcës elitare “Radwan” të Hezbollahut. Kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi se sulmi ishte miratuar personalisht prej tij.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë flakë të mëdha dhe një ndërtesë të dëmtuar rëndë pas bombardimit. Mediat lokale raportojnë se anëtarë të Hezbollahut po zhvillonin një takim në momentin e sulmit. Deri tani nuk ka pasur reagim zyrtar nga grupi libanez.

Ky është sulmi i parë në Dahieh që nga armëpushimi i ndërmjetësuar nga SHBA më 16 prill. Megjithatë, përplasjet mes Izraelit dhe Hezbollahut kanë vijuar edhe pas marrëveshjes, me të dyja palët që akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje.

Gjatë javës së fundit, ministria e Shëndetësisë në Liban raportoi mbi 120 viktima nga sulmet izraelite në vend, përfshirë gra dhe fëmijë.

Izraeli vijon të mbajë nën kontroll një zonë përgjatë kufirit jugor të Libanit, me pretendimin se synon krijimin e një “zone sigurie” për mbrojtjen e komuniteteve në veri të Izraelit. Nga ana tjetër, Hezbollahu ka vazhduar sulmet me raketa dhe dronë ndaj objektivave izraelite në kufi dhe në veri të Izraelit.

Sipas autoriteteve libaneze, më shumë se 2,700 persona janë vrarë në Liban që nga 2 marsi. Ndërsa Izraeli ka raportuar 16 ushtarë dhe tre civilë të vrarë nga sulmet e Hezbollahut.

Top Channel