Tragjedia e Durrësit/ Përcillen në banesën e fundit fëmijët, policia largon nga banesa familjen e autorit

04/05/2026 15:02

Një ditë pas aksidentit tragjik në Durrës, familjet e dy fëmijëve që humbën kanë hapur dyert e zisë. Dy të miturit, 9 dhe 12 vjeç, nxënës të shkollës “Demokracia”, janë përcjellë për në banesën e fundit, mes dhimbjes së madhe të familjarëve dhe komunitetit.

Në familjet e viktimave kanë shkuar për ngushëllime edhe zyrtarë të lartë, mes tyre zëvendëskryeministrja Albana Koçiu dhe kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako.

“Le të respektojmë dhimbjen sot… Do të merren të gjitha masat”, u shpreh zwvendwsministrja.

Ndërkohë, familja e autorit të dyshuar, Nikoll Radaçi, është larguar nga banesa dhe zona e asistuar nga policia, për të shmangur çdo incident. Hetimet nxorën në dritë detaje të reja për drejtuesin e automjetit që shkaktoi tragjedinë.

Nikoll Radaçi, 57 vjeç, rezulton me një historik shkeljesh të rregullave të qarkullimit rrugor. Sipas policisë së Durrësit, në vitin 2022 atij i është pezulluar leja e drejtimit dy herë, nga një muaj, për tejkalim të shpejtësisë.

Më herët, në vitin 2020, ai është ndëshkuar me gjoba edhe për parakalime të gabuara. Banorët e zonës tregojnë se ai njihej si drejtues problematik njihej me nofkën “Bisha”. Në Komisariat, pas aksidentit, Radaçi ka shfaqur pendesë dhe ka deklaruar se nuk mban mend asgjë.

Ai dyshohet se lëvizte me shpejtësi dhe nën efektin e alkoolit, që u konfirmua edhe nga testi i kryer pas ngjarjes. I arrestuari po hetohet për shkelje të rënda të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen, drejtim në gjendje të dehur dhe largim nga vendi i aksidentit.

Kjo ngjarje e rëndë ka rikthyer në vëmendje jo vetëm përgjegjësinë individuale, por edhe nevojën për rritje të sigurisë në rrugë.

 

Top Channel