Numeri kyç për të ndihmuar kujtesën në hetimet që kanë turbulluar futbollin italian është 5. Sepse janë 5 persona nën hetim nga prokuroria e Milanos dhe mes tyre nuk ka asnjë drejtues, anëtarë apo thjesht punonjës të klubeve.

Pra, klubet e futbollit nuk janë të përfshirë në hetime dhe kështu ato mund të marrin frymë lirisht, sidomos Interi, emri i të cilit është bërë objekt polemikash për pjesën e dokumentave që flisnin për ‘arbitra të preferuar nga Interi’

Ja pikat e hetimeve, gjithnjë nën shenjën e numrit 5. Sepse janë 5 të hetuar të gjithë nga bota arbitrare; ish dizenjatori, Gianluca Rocchi që u vetëpezullua dhe hetohet për pjesëmarrje në mashtrim sportiv. E njëjta situatë dhe për Andrea Gervasoni, ish supervizori i VAR dhe Luigi Nasca e Rodolfo di Vuolo dy arbitrat VAR në Inter-Verona të 6 janarit të 2024. I hetuari i 5 dhe i fundit është Daniele Paterna, por jo për pjesëmarrje në mashtrim sportiv. Paterna që ishte në sallën VAR në Udinese-Parma të 1 marsit 2025, është nën hetim për informacione të rrema të dhëna prokurorëve.

Po kështu, 5 është numri i ndeshjeve që janë në qendër të hetimeve; 3 të Serie A, 1 e Kupës së Italisë dhe 1 e Serie B. Udinese-Parma e Serie A dhe Salernitana-Modena e Serie B, të dyja të marsit 2025, janë nën lupë për një ndërhyrje të dyshuar të Gianluca Rocchi ose Gervasonit në sallën VAR. Ndeshja e cituar tashmë mes Interit dhe Veronës në janar të 2024 është një çështje më vete sepse ka të bëjë me goditjen e famshme me bërryl të Bastonit ndaj Dudas në aksionin e golit vendimtar të Frattesit. Një rast moviole që u denoncua nga avokati Michele Croce, nga i cili mori më pas formë hetimi.

Por thelbi i vërtetë e çështjes ka të bëjë me dy ndeshjet e tjera; Bologna-Inter e Serie A dhe Inter-Milan e Kupës së Italisë, të dyja të luajtura në prill të 2025. Janë këto dy raste që në hetime po hipotizohet për manipulim me caktimin e arbitrave të ndeshjeve për të favorizuar Interin. Mbetet për t’u kuptuar se mbi cilat baza, Prokuroria e Milanos ka ngritur këto hipoteza duke qenë se nga sa ka dalë deri tani, klubet nuk janë nën hetim.

Hetimi i drejtuar nga prokuori Ascione në muajt e kaluar përfshiu 29 arbitra që me dëshmitë e tyre e kanë lejuar të arrijë në kuadrin aktual. Ditën e enjte Rocchi dhe Gervasoni, dy të hetuarit kryesorë, do të jenë në Prokurori. Ndërkaq, për pjesën e mbetur të sezonit, dizenjatori i arbitrave do të jetë Dino Tommasi, do të jetë ai që do të marrë drejtimin e anijes në këtë det kaq shumë të turbulluar. Po kështu mbetet ende pista e vënies së Federatës nën hetim, hipotezë që është hedhur poshtë nga bota e futbollit, por që mbahet në konsideratë nga qeveria italiane, në mënyrë të veçantë nga ministri i Sporteve, Abodi.

Top Channel