Një gjyqtar i UEFA-s është arrestuar në lidhje me akuzat për ngacmim seksual ndaj një djali të mitur, pas udhëtimit të tij në Mbretërinë e Bashkuar për të gjykuar një ndeshje, ndërsa emri i tij nuk është zbuluar ende për mediat.

Zyrtari dyshohet se ka prekur dhe ka tentuar të tërheqë të miturin në dhomën e tij të hotelit përpara ndeshjes europiane. Policia nisi hetimet pasi incidenti u raportua nga djali ose një mik i tij, ndërsa gjyqtari kishte shkuar për ndeshjen, shkruan The Sun.

Burime thanë se: “Ai filloi të fliste me një djalë në një zonë publike të hotelit. Dyshohet se e ka prekur dhe ka tentuar ta tërheqë në dhomën e tij. Nëse kjo vërtetohet, është e tmerrshme dhe krejtësisht e papranueshme.”

Gjyqtari u arrestua kur u kthye në hotel me delegacionin e UEFA-s dhe iu lexuan të drejtat nga policia. Ai u mor në pyetje dhe më pas u la në liri me kusht deri në përfundimin e hetimeve. Nëse ngarkimet konfirmohen, ai mund të ekstradohet në Mbretërinë e Bashkuar.

FIFA njoftoi se gjyqtari nuk do të konsiderohet për asnjë kompeticion ndërkombëtar derisa të përfundojë hetimi, ndërsa UEFA deklaroi: “Po monitorojmë situatën me shqetësim të madh. Përkohësisht, zyrtari nuk do të marrë pjesë në asnjë ndeshje të UEFA-s.”

Top Channel