Popullariteti i Trump bie ndjeshëm, vetëm 34% e të anketuarve e miratojnë luftën me Iranin

28/04/2026 21:04

Vlerësimet për Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, kanë rënë në nivelin më të ulët të mandatit të tij, sipas një sondazhi të ri të Reuters dhe Ipsos, ndërsa amerikanët shprehin pakënaqësi për menaxhimin e kostos së jetesës dhe luftës me Iranin.

Sondazhi katërditor, i përfunduar të hënën, tregon se vetëm 34% e amerikanëve miratojnë performancën e Trump në Shtëpinë e Bardhë, nga 36% në matjen e mëparshme. Rezultatet u mblodhën kryesisht para një incidenti me të shtëna në darkën e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, ku presidenti pritej të mbante fjalim.

Sipas të dhënave, mbështetja për Trump ka qenë në rënie që prej marrjes së detyrës në janar 2025, kur ai gëzonte 47% miratim. Rënia është thelluar sidomos pas përshkallëzimit të tensioneve dhe konfliktit me Irani, si dhe ndikimit të tij në rritjen e çmimeve të karburantit dhe kostos së jetesës.

Vetëm 22% e të anketuarve shprehen të kënaqur me mënyrën se si ai po trajton ekonominë, ndërsa shqetësimet për inflacionin mbeten të larta, sidomos mes votuesve republikanë dhe të pavarur. Sondazhi tregon gjithashtu se të pavarurit po anojnë drejt demokratëve me një diferencë prej 14 pikësh në preferencat për zgjedhjet e ardhshme të Kongresit.

Në lidhje me politikën e jashtme, vetëm 34% e amerikanëve miratojnë përfshirjen e SHBA-së në konfliktin me Iranin, duke reflektuar një rënie të lehtë krahasuar me muajt e mëparshëm.

Sondazhi u zhvillua online dhe në nivel kombëtar, me 1,269 të rritur amerikanë të anketuar dhe një diferencë gabimi prej 3%.

Top Channel