Të shtënat me armë në darkën e Trump me gazetarët/ “Jetojmë në një botë të çmendur”, Presidenti: Nuk isha i shqetësuar

27/04/2026 08:23

Një incident me të shtëna ka tronditur mbrëmjen e së shtunës në Uashington DC, gjatë Darkës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë. Sipas autoriteteve, një person i armatosur hyri në hollin e hotelit “Washington Hilton”, duke shkaktuar panik mes të pranishmëve.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi për CBS News se nuk ishte ndjerë i shqetësuar gjatë incidentit. “Nuk isha i shqetësuar. Jetojmë në një botë të çmendur”, u shpreh ai.

Ngjarja ndodhi rreth orës 20:35 me orën lokale, kur i dyshuari hyri me armë në ambientet e hotelit dhe u dëgjuan të shtëna. Agjentët e Shërbimit Sekret ndërhynë menjëherë, duke evakuuar presidentin dhe anëtarët e kabinetit.

Gjatë përplasjes, një oficer i Shërbimit Sekret mbeti i plagosur, por raportohet se është jashtë rrezikut për jetën dhe pritet të rikuperohet plotësisht.

I dyshuari është identifikuar si Cole Tomas Allen, 31 vjeç, nga Kalifornia, i cili pritet të dalë sot para gjykatës në Uashington për t’u përballur me akuzat.

Ndërkohë, vizita shtetërore e Mbretit Charles III në SHBA do të zhvillohet sipas planit. Buckingham Palace bëri të ditur se ai pritet të mbërrijë në Uashington pasditen e sotme, me disa ndryshime të vogla në axhendë për arsye sigurie.

Top Channel