“Nuk pres falje”, zbardhet mesazhi i autorit të sulmit në Shtëpinë e Bardhë, 31-vjeçari kishte paralajmëruar familjen para të shtënave

27/04/2026 09:29

Autoritetet amerikane po analizojnë mesazhet dhe aktivitetin e Cole Tomas Allen, i dyshuar për të shtënat gjatë Darkës së Korrespondentëve në Uashington, për të kuptuar motivet që çuan në sulmin e armatosur.

Sipas hetuesve, 31-vjeçari nga Kalifornia, i cili punonte si mësues me kohë të pjesshme dhe zhvillues videolojërash, kishte dërguar një shënim familjarëve pak para ngjarjes. Në të ai kërkonte falje për zhgënjimin e besimit, por theksonte: “Nuk pres falje”, ndërsa shprehte zemërim të fortë politik dhe synimin për të goditur zyrtarë të administratës.

Në mesazh, Allen përshkruante edhe aktivitetin e tij si krijues lojërash, përfshirë një projekt indie të publikuar në platformën Steam, si dhe një projekt të dytë në zhvillim.

Hetimet tregojnë se ai ishte përfshirë në aktivizëm politik vitet e fundit dhe kishte bërë edhe donacione për fushatën e Kamala Harris në vitin 2024. Sipas autoriteteve, Allen kishte blerë ligjërisht armë zjarri në Kaliforni, pas kontrolleve përkatëse përmes FBI. Më pas ai udhëtoi me tren nga Los Angeles drejt Uashingtonit, ku u akomodua në hotelin ku zhvillohej eventi.

Mbrëmjen e së shtunës, ai tentoi të kalonte me forcë sigurinë jashtë aktivitetit dhe qëlloi disa herë, duke plagosur një agjent të Shërbimit Sekret, i cili tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sipas Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë, Todd Blanche, i dyshuari kishte në shënjestër figura të administratës, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht motivin.

Ndërkohë, Donald Trump e ka cilësuar retorikën e të dyshuarit si “anti-kristiane”.

Allen përballet me disa akuza të rënda, përfshirë përdorimin e armës së zjarrit dhe sulm ndaj një oficeri federal. Autoritetet bëjnë me dije se ai aktualisht nuk po bashkëpunon me hetuesit, ndërsa vijojnë kontrollet dhe intervistat me familjarët dhe të afërmit për të hedhur më shumë dritë mbi rastin.

Top Channel