Korrespondenti i ‘The Guardian’ përshkruan panikun në darkën e Shtëpisë së Bardhë: Ishte si një skenë nga Hollywood-i, por po më ndodhte mua

27/04/2026 13:57

Korrespondenti i The Guardian në Uashington, David Smith, përshkroi momentin dramatik kur një mbrëmje formale u kthye në një skenë terrori në darkën e Trump me gazetarët në Uashington.

Sipas tij, ndërsa eventi po zhvillohej normalisht, pak pas orës 20:30 u dëgjuan të shtëna.

“Bam! Bam! Çfarë ishte ajo? Ku ishte?” kujton ai.

Brenda sekondash, salla u përfshi nga paniku dhe konfuzioni.

Të ftuarit, të veshur në mënyrë elegante, u hodhën nën tavolina ndërsa dëgjoheshin thirrje si “Uluni poshtë!” dhe “Qëndroni poshtë!”. Smith tha se reagoi instinktivisht, duke u fshehur, ndërsa e përshkroi përvojën si “një skenë nga një film hollivudian, por këtë herë ishte reale”.

Agjentët e Shërbimit Sekret Amerikan ndërhynë menjëherë me armë në duar, ndërsa disa minuta më vonë presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe bashkëshortja e tij u larguan me nxitim nga salla.

“Ishim në qendër të ciklonit pa e ditur se çfarë po ndodhte”, tha Smith, duke përshkruar pasigurinë që mbizotëronte. Një heshtje e rëndë ra më pas në sallë, ndërsa forcat e policisë zunë pozicione sigurie.

Dëshmitë për numrin e të shtënave ndryshojnë, me disa që flasin për katër dhe të tjerë për pesë. Përfaqësuesi demokrat Jamie Raskin deklaroi se agjentët e hodhën përtokë për ta mbrojtur: “Njerëzit po bërtisnin dhe ishin shumë të frikësuar”, tha ai.

Ngjarja ndodhi në një klimë tashmë të tensionuar, ku prania e Trump kishte tërhequr vëmendje të madhe dhe debat mbi marrëdhëniet e tij me median. Pas incidentit, eventi u ndërpre dhe presidenti u kthye në Shtëpinë e Bardhë, ku deklaroi se “njerëzit me ndikim janë shpesh në shënjestër”, duke iu referuar Abraham Lincoln.

Sipas Smith, incidenti nuk është i izoluar, por pjesë e një rritjeje më të gjerë të dhunës politike në SHBA vitet e fundit.

Ironikisht, ngjarja ndodhi në një nga ambientet që konsiderohet më të sigurta në vend, i përforcuar që pas atentatit ndaj Ronald Reagan.

Top Channel