Akuzat për plaçkitje dhe dëmtim të pronës nga ushtarët izraelitë në Liban, reagon IDF-ja: Nuk përputhen me vlerat tona

26/04/2026 22:36

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) deklaruan të dielën se do të shqyrtojnë akuzat për plaçkitje nga ushtarët në Libanin jugor, pas një raporti të publikuar nga gazeta Haaretz, i cili citon ushtarë anonimë që pretendojnë se vjedhjet nga shtëpitë dhe bizneset e civilëve janë të përhapura.

“IDF-ja e konsideron çdo dëmtim të pronës civile dhe çdo akt plaçkitjeje me seriozitetin më të madh dhe i ndalon ato në mënyrë strikte”, thuhet në deklaratën e ushtrisë izraelite. “Çdo pretendim apo dyshim për sjellje të tillë shqyrtohet plotësisht dhe trajtohet në përputhje me ligjin”, shton IDF.

Sipas deklaratës, kur paraqiten prova të mjaftueshme, merren masa disiplinore dhe penale, përfshirë ndjekjen penale. Po ashtu, Korpusi i Policisë Ushtarake kryen kontrolle në pikën kufitare veriore gjatë daljes nga zona e luftimeve.

Raporti i Haaretz vjen pas një sërë ankesash të tjera për sjellje të papërshtatshme të ushtarëve izraelitë në Liban. Një ditë më parë, ushtria njoftoi se po hetonte një video ku shfaqen pajisje të rënda duke dëmtuar panele diellore dhe një automjet pranë fshatit Debel, në jug të Libanit.

“Veprimet e shfaqura në video nuk përputhen me vlerat e IDF-së dhe standardet e sjelljes së ushtarëve tanë. Incidenti është në shqyrtim dhe do të merren masa në përputhje me gjetjet”, deklaroi ushtria për CNN.

Ushtria izraelite dhe kryeministri Benjamin Netanyahu kërkuan më vonë falje për incidentin, ndërsa dy ushtarët e përfshirë u dënuan me 30 ditë burg dhe u larguan nga detyrat luftarake.

Top Channel