Aksidenti i rëndë në aksin Lezhë-Milot, kamionçina përplas motorin
I ftuari i radhës në emisionin Flet me Ilnisa Agolli, që transmetohet çdo të enjte në Top Channel dhe Top Albania Radio, ishte Arbër Çepani.
Në një intervistë ndryshe nga zakonisht, ai u rikthye pas në kohë, nga fëmijëria dhe vitet e jetesës në Kubë, te marrëdhëniet personale dhe mënyra si e ka jetuar vëmendjen publike.
Por momenti më i fortë i rrëfimit ishte një tjetër.
Humbja e papritur e Gert Bogdanit, një goditje që, sipas tij, mbetet pika më e rëndë në jetën e tij dhe të familjes.
I pyetur nga Ilnisa Agolli se si gjeti forcën të dilte në intervistë pikërisht ditën e ceremonisë mortore, Çepani rrëfen një moment që e zhvesh totalisht nga çdo filtër:
“Ka qenë, tani që rikthehem, ndoshta momenti më i vështirë i jetës sime. Gjithçka dukej si një ëndërr e keqe, sikur do të zgjohesha dhe nuk do të ishte e vërtetë.
E mbaj mend si tani kur erdhi kërkesa për intervistë. Isha në shtëpi me Edlirën. I thashë: ‘Është kjo ftesa, çfarë mendon?’
Dhe ajo më tha vetëm një fjali: ‘Të lutem, bëje për Gertin.’
Edhe sot, kur e kujtoj, më prek shumë. Nuk kisha asnjë dëshirë të flisja, as të ndaja asgjë me askënd… por ajo fjali mjaftoi. Sepse Gerti ka bërë gjithmonë për njerëzit”, tha Arbër Çepani.
Në të njëjtën intervistë, ai ndalet edhe te marrëdhënia me motrën e tij, Edlira Çepani, për të cilën nuk kursen as respektin, as admirimin:
“Edlira është ndoshta njeriu më i fortë që njoh. Ajo ka një vokacion publik që kërkon sakrificë reale kohë, energji, veten.
Unë jam ndryshe. Jam më egoist në këtë aspekt. Kam zgjedhur biznesin, sepse dua pavarësi, dua të shijoj jetën time, pa i dhënë llogari askujt.
Kurse Edlira jep gjithçka për diçka që është më e madhe se vetja. Dhe për këtë e admiroj thellësisht”, tha Arbër Çepani.
Top Channel