Video/ Përfshihet nga flakët një fabrikë fishekzjarrësh në Indi, 13 të vdekur dhe 40 të plagosur
Nga Diego Lasarte, The New Yorker
Kur Tekashi 6ix9, rreper dhe ish anëtar i një bande kriminale, përfundoi tri muajt e dënimit të tij në Metropolitan Detention Center të Bruklinit, ai mori me vete një suvenir të pazakontë.
Ai jua tregoi dy miqve të tij që e prisnin jashtë ndërtesës së burgut ditën që doli: ishte një figurinë e punuar me dorë e personazhit vizatimor SpongeBob SquarePants, mbi të cilën qenë zhgarravitur disa vija të dhëmbëzuara – të ngjashme me ato të ritmit të rrahjeve të zemrës në monitor apo të një vargmali. Sipas 6ix9ine, ai ishte autografi i Nicolas Maduros, Presidentit të Venezuelës. Firma mbante gjithashtu datën në spanjisht, “2. Abril.”
“Shikoje, e vetmja e këtij lloji,” tha 6ix9ine, teksa tregonte figurinën që, siç shpjegoi më pas, një tjetër i burgosur e kishte krijuar duke palosur me kujdes 600 copëza letre, të cilat i kishte qepur bashkë përgjatë dy javëve. “Maduro e firmosi,” tha ai me krenari, para se të shtonte, “Rroftë Venezuela përjetë.”
Maduro u rrëmbye në Venezuelë më 3 janar, gjatë një sulmi amerikan ndaj një kompleksi ushtarak në Karakas, të quajtur operacioni Absolute Resolve. Po atë ditë, ai u transportua në një zyrë të D.E.A-s në Manhatan, para se të dërgohej në M.D.C Brooklyn, burgun e vetmë federal ende funksional në Nju Jork, ku mbahet prej katër muajsh e gjysmë.
6ix9ine, i cili ndodhej në të njëjtin burg pasi kishte shkelur lirimin e tij me kusht në lidhje me një çështje të vitit 2018, pretendon se ka qenë shok qelie me Maduron gjatë një pjese të dënimit – një eksperiencë, të cilën ai e përshkroi me hollësi për streamer-in Adin Ross. “Nuk doja ta bezdisja. Nuk doja të bëja si ndonëj fans i vogël. I thashë vetëm, hej, çfarëdo që të të duhet më thuaj.” Në fillim të burgimit, Maduro duket se është mbajtur në një njësi të destinuar për qeli izolimi, siç ndodh shpesh me të burgisur të këtij statusi.
“Qelbej erë kur doli nga izolimi,” tregon 6ix9ine. “Por, më vonë pati mundësi të lahej.” (Zyra Federale e Burgjeve nuk pranoi të komentonte në lidhje me kushtet e Maduros në M.D.C Brooklyn, duke cituar sigurinë dhe privatësinë e të burgosurve si arsye.) Më pas, Maduro është transferuar në një qeli të njohur si ‘4 North,” që është vendi ku tipikisht mbahen të burgosurit e profilit të lartë si rreperi Sean (Diddy) Combs, i cili kaloi mbi një vit në burg dhe, së fundi, 6ix9ine (“Unë mora shtratin e Diddy-t,” tregon 6ix9ine.)
M.D.C Brooklyn përbëhet nga dy ndërtesa kryesore: njëra, më e madhja, ku mbahen shumica e të burgosurve meshkuj dhe një tjetër, pak më e vogël, ku mbahen gratë e burgosura. ‘4 North’ është në katin e katërt të ndëresës së dytë, sipër burgut të grave. Në këtë njësi, që mund të mbajë vetëm një grup të vogël të burgosurish, shtretërit ngjajnë me ato të konvikteve dhe nuk ka jastëkë. 6ix9ine e ka përshkruar se sa ngushtë është brenda saj. “Maduro flinte përballë meje,” i tregoi ai Adin Ross-it, duke bërë me gjeste një distancë prej jo më shumë se gjysmë metri.
Orari në njësinë ‘North 4’ është i ngjashëm me ato të njësive të tjera, ku të burgosurit numërohen disa herë në ditë. Vaktet sillen me karrocë dhe ka një dhomë të vogël ngjitur me njësinë, ku të burgosurit mund të punojnë për çështjen e tyre dhe të kominukojnë me avokatët, sipas dikujt që ka biseduar shpesh me një të burgosur atje. Burgu ka dritare të ngushta, të bëra me një material të trashë. Tualetet dhe dushet ofrojnë fare pak privatësi. 6ix9ine tha se ai përdorte dushin Numër 2, ndërsa Maduro dushin Numër 1, sepse ishte më i madhi (Maduro është 1 e 80 i gjatë.) 6ix9ine pretendon gjithashtu se Maduro i ka treguar detajet e sulmit në Karakas, një operacion deri më tani i mbuluar nga misteri. Presidenti Trump ka thënë se forcat amerikane përdorën një armë sekrete, që ai e quajti “diskombobulues,” për të paralizuar rojet e Maduros. “Nuk mendoj se mund ta tregoj”, tha 6ix9ine kur u pyet për këtë, “por ai ma tregoi… Thjesht do ta mbaj për vete. Dhe, nëse vritem ndonjëherë, kam vendosur të mos them asgjë. Nuk dua të flas fare për këtë. Dhe nuk kam për të folur kurrë. Jam një patriot.”
Kampusi i M.D.C Brooklyn ndodhet në anën tjetër të portit të Nju Jorkut në Sunset Park, shumë pranë një pike supermarket Costco dhe një nga impiantet më të mëdha të riciklimit në SHBA. Pak kohë më parë shëtita rreth ndërtesës së burgut gjatë një dite të ngrohtë verore; frynte pak erë dhe mbi kokë fluturonin pulëbardha. Nga jashtë, mund të shohësh dritaret e vogla të burgut, të ndërtuara me tulla të kuqe.
Burgu mban më shumë se 1.300 persona, shumica e të cilëve presin të dalin në gjyq në distriktet e jugut dhe të lindjes në Nju Jork. Përgjatë viteve, për këtë ndërtesë ka patur ankesa rreth kushteve të pasigurta, përfshi këtu ndërprerjen e energjisë për një javë në dimër në vitin 2019, ndërsa raporte të vitit të kaluar tregojnë për praninë e krimbave në ushqimet e të burgosurve. Një zëdhënës i Zyrës së Burgjeve tha se M.D.C Brooklyn ofron “vakte nutricionalisht të përshtatshme, të gatuara dhe të shërbyera në përputhje me kodet e sigurisë dhe shëndetësisë të vendosura nga qeveria.” Disa persona kanë vdekur në burg gjatë viteve të fundit. Megjithatë, fama e keqe e tij vjen kryesisht nga të burgosurit e profilit të lartë. Si një ndërtesë që mban të paraburgosurit në një nga juridiksionet më të rëndësishme të vendit, M.D.C Brooklyn ka patur një sërë fiugrash të njohura si të burgosur, nga Luigi Mangione dhe Ghislaine Makswell, tek R. Kelly dhe Martin Shkreli.
Së fundmi, kam biseduar me një konsulent federal burgjesh, Sam Mangel, i cili, pasi kreu rreth njëzet muaj burg në një institucion në Florida për një skemë mashtrimi me sigurimet, u orientua drejt një karriere ku këshillon figura të profilit të lartë që përgatiten për një periudhë pas hekurave. Ndër klientët e tij të mëparshëm janë edhe operativë politikë si Steve Bannon dhe Peter Navarro. Mangel ka punuar disa herë në M.D.C. Brooklyn, përfshirë edhe me klientin e tij të dikurshëm Sam Bankman-Fried, mashtruesin e kriptomonedhave, i cili ishte i ndaluar në njësinë 4 North gjatë qëndrimit të tij atje, nga viti 2023 deri në 2025.
Ai shpjegon se një njësi e tillë është shumë më e sigurt se pjesa tjetër e burgut dhe se është logjike që të burgosur të njohur, nga reperë deri te ish-krerë shtetesh, të vendosen bashkë.
“Ata nuk do të kenë kurrë kontakt me të burgosur nga pjesë të tjera të institucionit dhe autoritetet nuk do të vendosin aty individë të rrezikshëm,” më tha Mangel. “Nuk janë vrasës. Nuk janë individë të dhunshëm që përfundojnë aty. Zakonisht, as shkelës seksualë”, shtoi ai, përpara se të korrigjonte veten: “Edhe pse Combs kishte akuza të tilla, prapë kishte kuptim të ishte aty.”
Kjo bëhet për sigurinë e të burgosurve të profilit të lartë, të cilët mund të jenë objekt shantazhi apo dhune. Por edhe për shkak të dukshmërisë së tyre ndërkombëtare.
“Është në interesin e qeverisë sonë që ta mbajë Maduron të sigurt”, tha ai. “Duhet ta çojnë këtë proces deri në fund, qoftë drejt një marrëveshjeje, qoftë drejt dënimit. Nuk duan një tjetër Epstein.”
“Gjëja e fundit që duan institucionet është që një figurë kaq e njohur të rrëshqasë në dush dhe të vdesë ‘rastësisht’. Pastaj teoritë konspirative do të shpërthenin menjëherë”, shtoi ai.
Burgosja e një kreu shteti sjell sfida të veçanta, logjistike dhe politike, por nuk është pa precedent. Kur Bankman-Fried ishte në M.D.C. Brooklyn, ai ndante të njëjtën njësi me Juan Orlando Hernández, ish-presidentin e Hondurasit, i cili qëndroi aty për më shumë se dy vite. Në fund, Hernández u fal nga Trump në fund të vitit të kaluar.
Maduro ka shumë pak gjasa të përfitojë nga një falje e tillë, çka do të thotë se do të qëndrojë në burg deri në përfundimin e gjyqit.
“Më shumë gjasa, do të jetë në Brooklyn edhe të paktën tetëmbëdhjetë muaj të tjerë”, thotë Mangel.
Dhe i jep një këshillë të thjeshtë: “Siç u them të gjithëve, qofshin ata të varfër apo miliarderë, në burg je thjesht një numër. Ke të njëjtat rroba, të njëjtën sasi ushqimesh nga kantina dhe qëndron pranë shtratit në të njëjtën orë si të gjithë të tjerët.”
Në ditët para rrëmbimit, dhe nga frika se mund të bëhej objektiv i administratës Trump, Maduro ndryshonte vazhdimisht vendet ku flinte. Në fillim të dhjetorit, Antonio Ledezma, ish-kryetar bashkie i Karakasit dhe figurë e opozitës, tha se Maduro ishte “i përpirë nga një pagjumësi njëzetekatër orëshe” dhe se “nuk flinte, nuk pushonte.”
Kjo pagjumësi duket se ka vazhduar edhe në burg. Sipas gazetës spanjolle ABC, ai dëgjohej natën duke bërtitur: “Unë jam Presidenti i Venezuelës!” dhe “Thuajini vendit tim që jam rrëmbyer!”
Që nga mbërritja në burg, Maduro ka dalë vetëm dy herë nga godina, për dy paraqitje të shkurtra në gjykatë. Aktualisht përfaqësohet nga avokati Barry J. Pollack, i cili ka mbrojtur edhe Paul Manafort dhe Julian Assange. Për paraqitjen më të fundit, ai dhe bashkëshortja e tij, Cilia — e cila gjithashtu mbahet në M.D.C. Brooklyn — mbërritën në gjykatën federale në Manhattan me një autokolonë të zezë.
Jashtë gjykatës i prisnin dy protesta të kundërta. Njëra ishte ashpër kundër tij, me demonstrues që deklaronin se kishin ikur nga Venezuela. Dy burra mbanin një kukull të Maduros, me sy të kuq gjak dhe dhëmbë vampiri, i veshur me uniformë burgu dhe zinxhir në qafë.
Në anën tjetër, protestues të tjerë kritikonin ndërhyrjen amerikane në Amerikën Latine, duke valëvitur flamuj venezuelianë dhe palestinezë. Dy gra mbanin një pankartë gjigante me portretin e Maduros ku shkruhej: “Maduro Amigo, Los Pueblos Están Contigo.”
Pas seancës, që zgjati më pak se nëntëdhjetë minuta, Maduro i tha avokatit të tij “Hasta mañana” dhe u kthye sërish në M.D.C. Brooklyn. Papritur, ishte thjesht një i burgosur si gjithë të tjerët.
Ndërkohë, edhe pse teknikisht ende President i Venezuelës, vendin e tij e ka marrë përkohësisht Delcy Rodríguez, ish-zëvendëspresidente. Ajo e ka quajtur arrestimin e tij “rrëmbim”, por njëkohësisht ka treguar gatishmëri për të bashkëpunuar me Trump, duke rritur eksportet e naftës drejt SHBA-së.
Nga ana tjetër, liderja e opozitës María Corina Machado, fituese e Çmimit Nobel për Paqe në vitin 2025, jeton në mërgim dhe ka sinjalizuar se do të rikthehet në Venezuelë, ndonëse pa një afat të qartë.
Dhe, në mënyrë pothuaj groteske, edhe vetë Trump ka lënë të kuptohet se mund të hyjë në garë, “Jam në sondazhe më lart se kushdo tjetër në Venezuelë”, tha ai në një konferencë për shtyp. “Kur ta mbaroj këtë punë, mund të shkoj atje, do mësoj spanjisht shumë shpejt — jam i mirë me gjuhët — dhe do kandidoj për President.”
Ndërkohë, Maduro vazhdon të presë në burg. Qeveria venezueliane u ka bërë thirrje qytetarëve t’i dërgojnë letra. Sipas 6ix9ine, ai kalon pjesën më të madhe të kohës duke lexuar.
“Ai thjesht lexon Biblën. Lexon çdo Bibël,” tha ai. “Kur unë dola, ai po lexonte Biblën kineze… nuk e di nëse ishte Budiste apo diçka tjetër… por po i krahasonte të gjitha”, tha reperi.
Top Channel