“Nuk jam i interesuar të debatoj me të”/ Përplasja Vatikan-Trump, Papa Leoni XIV injoron presidentin amerikan
Një tjetër zhvillim në skenën politike greke, që hedh hije mbi qeverinë e konservatorëve të Demokracisë së Re në Greqi.
Pak ditë pasi ishte emëruar zv.ministër i Zhvillimit Rural dhe Bujqësisë, Makarios Lazaridis dha dorëheqjen nën presionin e madh politik dhe publik, pas zbulimeve se në të kaluarën kishte mbajtur poste shtetërore për të cilat kërkohej diplomë universitare, ndërsa ai dispononte vetëm një vërtetim studimesh nga një kolegj privat, pa njohje si diplomë universitare.
Skandali nisi të marrë përmasa të mëdha kur opozita dhe mediat zbuluan se Lazaridis ishte emëruar që në vitin 2007 si “shkencëtar special” në Ministrinë e Arsimit dhe më pas në poste të tjera publike, megjithëse ligji kërkonte diplomë universitare, master ose doktoraturë.
Vetë Lazaridis pranoi se diploma e tij nuk ishte njohur nga sistemi grek i ekuivalentimit, por këmbënguli se emërimi i tij ishte bërë nga administrata e kohës dhe se ai kishte dorëzuar të gjitha dokumentet që i ishin kërkuar.
Në ditët e fundit ai tentoi të mbrohej publikisht, duke treguar në televizion një certifikatë studimesh nga “The College of Southeastern Europe” dhe duke pretenduar se në vitin 2007 edhe persona pa diplomë universitare mund të punësoheshin si të emëruar politikë.
Megjithatë, ky argument nuk bindi as opinionin publik dhe as shumë figura të vetë Demokracisë së Re. Presioni u shtua edhe më shumë pasi Dora Bakojanni, motra e kryeministrit Mitsotakis, njëkohësisht deputete e së djathtës konservatore, deklaroi publikisht mëngjesin e së shtunës se ai duhej të largohej për të lehtësuar qeverinë dhe kryeministrin. Vetëm pak orë më vonë erdhi edhe dorëheqja e tij.
Në letrën e dorëheqjes, Lazaridis deklaroi se largohej për të mos penguar punën e qeverisë dhe të ministrisë, duke folur për “sulm toksik” nga opozita dhe duke insistuar se kishte vepruar gjithmonë me ndershmëri.
Por opozita e interpretoi largimin e tij si një tjetër goditje për imazhin e qeverisë Mitsotakis. Socialistët e PASOK-ut folën për “favor personal” të kryeministrit, ndërsa të majtët e SYRIZA-s thanë se dorëheqja erdhi vetëm pas zemërimit të opinionit publik dhe jo nga reflektimi politik i qeverisë.
Ndërkohë, mediat greke kanë sjellë edhe detaje të tjera për të që rëndojnë klimën politike. U zbulua se pas largimit të Lazaridis nga një post këshilltari në Sekretariatin e Përgjithshëm për Barazinë Gjinore në vitin 2013, vendin e tij e mori bashkëshortja e tij.
Emri i saj u përfshi më pas edhe në listat e kompanisë Blue Skies, e lidhur me persona të afërt të Demokracisë së Re dhe me strukturat e komunikimit të partisë. Këto zhvillime kanë ushqyer edhe më shumë akuzat për nepotizëm dhe klientelizëm në radhët e qeverisë.
Dorëheqja e Lazaridis vjen në një moment veçanërisht të vështirë për qeverinë Mitsotakis, e cila prej javësh ndodhet nën presion për çështjen e menaxhimit të subvencioneve bujqësore të BE nga organizmi shtetëror OPEKEPE.
Për opozitën, rasti Lazaridis është një tjetër shembull që godet drejtpërdrejt narrativën e meritokracisë dhe të shtetit modern që premtonte Demokracia e Re. Për qeverinë, është një tjetër krizë që rihap diskutimin mbi mënyrën se si përzgjidhen dhe emërohen njerëzit në poste të rëndësishme publike.
Top Channel