Tronditet bota e Hollywood, aktori i njohur i “The Hunger Games” arrestohet për të shtëna me armë ndaj tre personave

17/04/2026 07:50

Një ngjarje e rëndë ka tronditur botën e showbiz-it, pasi aktori i sagës “The Hunger Games”, Ethan Jamieson, është arrestuar në Raleigh, nën dyshimet për një sulm me armë zjarri.

Sipas dokumenteve gjyqësore, Jamieson u arrestua më 8 prill për një incident të ndodhur më 22 mars në orët e mbrëmjes. Policia kishte marrë një njoftim për të shtëna rreth orës 21:52 dhe, pasi mbërriti në vendngjarje, gjeti një person që raportoi se një individ i panjohur me biçikletë elektrike kishte qëlluar në drejtim të makinës së tyre në lëvizje.

Në automjet ndodheshin edhe dy persona të tjerë, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për viktima. Gjatë hetimeve, autoritetet identifikuan Jamieson si autorin e dyshuar të të shtënave, duke rrezikuar jetën e tre personave.

Ai akuzohet për tre vepra penale të sulmit me armë vdekjeprurëse me qëllim vrasjeje. Sipas raportimeve, në incident është përdorur një pistoletë gjysmë-automatike e kalibrit 9 mm.

Një ditë pas arrestimit, më 9 prill, gjykata refuzoi kërkesën e tij për lirim me kusht, ndërsa seanca e radhës është caktuar për 30 prill, ku pritet të shqyrtohet vijimi i procesit gjyqësor.

Kjo nuk është hera e parë që aktori përballet me drejtësinë. Në mars të vitit 2025, ai ishte arrestuar po në Raleigh për kundërshtim ndaj një zyrtari policor, ndërsa për këtë vepër u shpall fajtor më 26 mars 2026, vetëm pak ditë para incidentit të fundit.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet çështja në vijim dhe çfarë pasojash do të ketë për karrierën e tij.

Top Channel