Kriza e karburantit, kompanitë ajrore paralajmërojnë anulime fluturimesh në Europë: Deri në fund të majit…

17/04/2026 13:07

Një alarm i ri po ngrihet në industrinë globale të aviacionit.

Më shumë se 300 kompani ajrore dhe të aviacionit kanë kërkuar nga qeveritë që të përgatiten për një skenar të mundshëm racionimi të karburantit për avionë, për shkak të mungesave në treg.

Sipas Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror, nëse situata përkeqësohet, në fund të muajit maj mund të fillojnë edhe anulime fluturimesh në Evropë. Drejtuesit e industrisë paralajmërojnë se disa rajone në botë po përballen tashmë me mungesa të karburantit, ndërsa Evropa konsiderohet e rrezikuar për shkak të varësisë nga furnizimet e jashtme.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, rezervat e karburantit për avionë në Evropë mund të mjaftojnë vetëm për rreth gjashtë javë, nëse furnizimi ndërpritet. Situata është përkeqësuar nga rritja e çmimeve, të cilat pothuajse janë dyfishuar gjatë konfliktit të fundit me Iranin, duke rritur ndjeshëm kostot e operimit për linjat ajrore.

Një pjesë e konsiderueshme e karburantit global kalon përmes Ngushticës së Hormuzit, një pikë strategjike ku çdo tension ndikon direkt në tregjet ndërkombëtare të energjisë. Disa kompani ajrore, përfshirë operatorë të mëdhenj ndërkombëtarë, kanë nisur tashmë anulimin e fluturimeve verore për të balancuar kostot në rritje.

Ekspertët paralajmërojnë se nëse nuk merren masa të shpejta, sektori i aviacionit mund të përballet me një nga krizat më serioze të furnizimit në vitet e fundit.

Top Channel