Taksisti parkon makinën pranë patrullës së policisë në Rrugën e Kavajës, pasagjeri avokat i ofendon dhe kundërshton efektivët, shoqërohet në komisariat

16/04/2026 22:26
Foto Ilustruese

Një ngjarje është regjistruar mbrëmjen e sotme në në Rrugën e Kavajës, në kryeqytet.

Rreth orës 20:00, patrulla e policisë duke patrulluar në Rrugën Kavajës, ka ndaluar për të marrë masa ndaj drejtuesve të automjeteve të parkuara gabim në ketë zonë.

Në kohën kur punonjësit e Policisë ishin duke kryer detyrën, një automjet taksi është parkuar mbrapa makinës së Policisë.

Punonjësit e Policisë i janë afruar dhe i kanë kërkuar drejtuesit të automjetit të vijojë lëvizjen, por nga mjeti taksi, që drejtohej nga 26-vjeçari A. B., doli avokati 56-vjeçar A. G., i cili ka filluar të ofendojë dhe, së bashku me drejtuesin e automjetit, nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë që ishin duke kryer detyrën, për të vijuar lëvizjen.

Në këto kushte, punonjësit e Policisë kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 avokatin, i cili edhe gjatë shoqërimit ka vijuar të kundërshtojë punonjësit e Policisë.

Në përfundim të veprimeve të para procedurale, avokati u procedua penalisht për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.

Top Channel