Fiks Fare/ Hasmëria që u zhvendos nga Lezha në Konispol. Urdhër vrasje, tritol poshtë makinës dhe heshtja e drejtësisë

16/04/2026 20:50

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së enjtes një histori e denjë për skenar të filmave aksion, ku një qytetar për ti shpëtuar hakmarrjes u zhvendos nga qyteti i Lezhës për në fshatrat e Konispolit.

Por, megjithëse kaluan vite nga ngjarja për të cilën ai ishte arrestuar, gjykuar e dënuar, hasmit e ndoqën në skajin më jugor të Shqipërisë, duke i bërë një atentat të mirëfilltë kriminal, duke i vendosur një sasi të konsiderueshme tritoli në makinë.

Fatmirësisht, 6 kallëpet e tritolit nuk shpërthyen, teksa Mirash Gjikolaj ka treguar para gazetarëve të emisionit investigativ Fiks Fare të gjithë zanafillën, ngjarjen e vjetër dhe atentatin e datës 5 shkurt 2026. Ai thotë se, jeton prej shumë vitesh në fshatin Shëndelli në Konispol. “Kam një problem shumë të madh. Më datën 5 shkurt 2026 më kanë vendosur tritol në makinë, brenda në sedilje. Për fatin tim, plasi vetëm kapsolla dhe nuk mori zjarr tritoli” thotë Mirashi. Ai tregon se disa persona i janë futur në banesën e tij njëkatëshe nga muri rrethues.

“Në oborr kisha parkuar makinën. Njëri prej tyre u fut në oborr, hapi derën dhe vendosi lëndën plasëse në makinë. Ka qëndruar gati 2 minuta. Më pas është larguar dhe në afërsi të shtëpisë e prisnin 2 persona të tjera që e ruanin” pohon Mirashi. Më tej shton se, 1 javë para këtij atentati i kanë helmuar qenin. “Një javë para më helmuan qenin, e mbaja në oborr. Aty pikasa diçka se mund të më ndodhte dhe vendosa kamera sigurie. Kamerat kanë filmuar të gjithë skenën” pohon ai.

Fiks Fare ka siguruar kamerat e sigurisë të ngjarjes së datës 5 shkurt, ku në pamje duket një person me kapuç në kokë që futet brenda në makinë. Poshtë bluzës mban diçka, ndërsa fytyra i duket qartë. Kamerat kanë kapur të gjithë momentin, teksa Prokuroria e Sarandës dëshmruan se këto pamje janë dërguar për t’u verifikuar në laboratorin në Tiranë.

Në të njëjtën ditë, Mirashi thotë se ka udhëtuar me makinën në fjalë. “Rreth orës 9 të asaj dite mora makinën dhe dola të pija kafe, në fshatin Vrinë. Rrugës ndjeva diçka jo të zakonshme. Po ecja ngadalë dhe në afërsi të kryqëzimit të Vrinës dëgjova një zhurmë të vogël dhe një vakum ajri. U hapën dyert dhe ndalova makinën. Makina nuk pësoi asnjë dëmtim, vetëm u hapën dyert. Pashë poshtë sediljes që një lëndë ishte hapur, ishte si me kokrriza. E kishin vendosur poshtë sediljes, ndërkohë që pashë që plasi vetëm kapsolla dhe jo lënda. Fatmirësisht nuk u ndez” thotë ai.

Më tej shton se, ishin 6 kallëpë të mbështjellë, një kapsollë e plasur dhe një telefon. “Ishte telefon nga ata të parët dhe me një kartë. Nuk ishte i dëmtuar” ka treguar Mirashi, ndërkohë që ka lajmëruar Policinë e Sarandës, e cila mbërriti në vendngjarje, teksa ai së bashku me një polic, morën makinën dhe e dërguan në komisariat.

Mirashi ankohet se policia dhe prokuroria e Sarandës nuk dëshirojnë t’a zbardhin këtë ngjarje të rëndë. Ai thotë se, pamjet e kamerave të sigurisë e tregojnë mjaft qartë autorin që ka vënë lëndën plasëse.

“Është me fytyrë dhe këta s’kanë bërë asnjë veprim për t’a zbuluar. Më kërkojnë mua emra. Përse mi kërkojnë, ai është me pamje. Ti heqin kapelën, ti afrojnë fytyrën dhe identifikohet mjaft lehtë. Ata kanë dashur të më vrasin bashkë me gjithë familjen. Nëse donin të më vrisnin mua, e dinin ku të më gjenin. Unë kam qarkulluar i lirë. Unë i di se kush mi ka vënë, e dalloj nga kamera. Por, policia s’do që t’a identifikojë. Këta janë një grup këtu në fshat që çfarë s’kanë bërë. Vrasje, vjedhje e vendosje tritoli. Asnjëherë nuk arrestohen dhe ndalohen. Hanë e pinë me policët” vijon ai, ndërsa shton se nuk dëshiron të japë emra.

Sipas dosjes së prokurorisë, në sediljen e makinës u gjet një telefon në ngjyrë të zezë, me një numër telefoni brenda. Numri i telefonit i është shitur një shtetasi ganez Muhamed Muntari, nga dyqani në pronësi të shtetasit Griseld Taullaj, në Himarë. Ky person ka deklaruar se për tërheqjen e numrit të telefonit nuk ka shkuar vetë shtetasi ganez, por mund të ketë shkuar i afërmi i tij!

Në të njëjtin dokument shkruhet se, në brendësi të makinës janë gjetur edhe 6 kallëpe me tritol si dhe një kapsollë e çarë dhe deformuar. Gjithashtu edhe tela përcjellës dhe një pajisje elektrike që ngjan si antenë. Në dosje shkruhet se ngjarja po hetohet për vrasje me paramendim dhe mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit. Dosja e prokurorisë nuk ka emra të personave të dyshuar!

“Tani këta duan që unë të vë gishtin në emra. Duan që të futem unë në hasmëri. Unë prandaj ia kam lënë shtetit, t’a identifikojnë ata, se ka pamje dhe gjithçka. Ka numër telefoni. Të zbulojnë se nga ka ardhur thirrja telefonike. Fshati është në kodër dhe rruga që kam kaluar unë është mjaft e drejtë. Kështu që nëse do të marrin antenat e telefonisë do të zbulojnë gjithçka” vijon qytetari.

Ai thotë se, arsyeja e këtij atentati ndoshta lidhet me të kaluarën e tij. “Unë kam bërë 8 vite burg për plagosje në Lezhë. Me shtetin e kam mbyllur, por me familjen jo. Atyre nuk u vë faj, por policia dhe prokuroria të identifikojnë ekzekutuesit. Ndoshta urdhëruesit dihet kush janë, por ekzekutuesit padyshim që janë nga fshati im dhe më kanë ndjekur. Ata kanë dashur që të më shuajnë si familje, pasi në momentin që tritoli vihet në makinë do të thotë se unë mund të lëvizja me gruan, fëmijët, nipin. Nëse shteti mua më thotë se nuk i identifikoj dot, më pas veproj unë. Unë kam lajmëruar të gjithë fisin se kush janë personat” vijon Mirashi.

Fiks Fare ka siguruar një pjesë të dosjes, ku akuza shkruan se, nga të dhënat e para hetimore, është pyetur pronari i automjetit nëse ka pasur konflikt me persona të fshatit. Ai është përgjigjur se para disa vitesh ka kryer një plagosje me armë zjarri kur ka qenë me banim në fshatin Trash Lezhë, për të cilën ka kryer edhe një dënim prej 8 vitesh burgim. Konflikt tjetër nuk ka pasur. Fiks Fare i kërkoi zyrtarisht një informacion Prokurorisë së Sarandës, por deri në transmetimin e kronikës, kjo akuzë nuk ktheu përgjigje!

“Këta hetojnë me hapin e breshkës. E morën makinën dhe e mbajnë atje. As mua s’ma japin dhe asnjë veprim. Unë kërkoj makinën dhe më sorollasin. Kaq të vështirë e kanë, janë shumë prova por këta nuk duan. Duan që unë të marr hak vetë dhe të më burgosin mua” vijon Mirashi, teksa thotë se gjatë këtyre javëve në dijeninë e tij nuk është bërë asnjë ballafaqim apo shoqërim në polici e prokurori.

Pas ankesës, qytetari shkon dhe interesohet në Policinë e Sarandës, te oficeri që ka këqyrur telefonin dhe lëndën plasëse. Ai i thotë se çështja ka shkuar në prokurori dhe po merret prokuroria me të gjitha. Nuk i jep asnjë informacion se çfarë veprimesh janë bërë, nëse janë shoqëruar të dyshuarit apo nëse janë analizuar pamjet e kamerave të sigurisë. “I kanë marrë ata të Vlorës, ata të eksplozivëve. Tani e ka në dorë prokuroria. Edhe makinën ata vendosin nëse do t’a japin” i thotë ai.

Mirashi shkon edhe në Prokurorinë e Sarandës dhe kërkon të takojë prokuroren e çështjes, për të marrë informacione. Në hollin e akuzës takon një sekretare, e cila i thotë gjithë kompetenca se “prapë erdhe ti”. Në fakt, Mirashi ka shkuar edhe 2 ditë më parë dhe ka kërkuar që t’i kthehet makina. “Do të vendosë prokurorja. Do të marrë një vendim. Nëse do t’a kthejë, ajo e vendos. Tani s’të takon dot” i thotë sekretarja.

Fiks Fare ka mësuar se janë bërë disa verifikime për atentatin, por jo shoqërime dhe ballafaqime. Prokuroria dhe policia justifikohen se ngjarja është edhe nën hetim dhe të dhënat janë sekrete. “Tani unë nuk dua sekrete të më japin, por të më informojnë se çfarë veprimesh kanë bërë. Unë jam viktimë në këtë rast” përfundon Mirashi.

Qytetari Mirash Gjikolaj interesohet për çështjen në Prokurorinë e Sarandës, nuk merr asnjë përgjigje!  

Qytetari – Erdha prapë unë sot, më duhet mjeti!

Punonjësja – Më thuaj?!

Qytetari – Erdha prapë për punën e makinës.

Punonjësja – Nuk më ka kthyer, nuk ka kthyer përgjigje prokurorja. Do të të kthej përgjigje me shkrim. Mirë?

Qytetari – Me shkrim?

Punonjësja – Po, patjetër!

Qytetari – Po kur?

Punonjësja – Nuk e di, do të t’a kthej prokurorja, do të kontaktohesh.

Qytetari – Se është halli …

Punonjësja – Bëj kërkesë tjetër!

Qytetari – Më fal të lutem.

Punonjësja – Bëj kërkesë tjetër o zotëri, më the pardje e mora vesh.

Qytetari – Po e kam hall se iki në punë.

Punonjësja – E kuptoj.

Qytetari – Të lutem dua makinën.

Punonjësja – E kuptoj, po unë s’jam marrë me këtë rast.

Qytetari – Po sikur të, ku është ajo zonja (prokurorja)? Ta takoj zonjën.

Punonjësja – Patjetër (largohet).

Punonjësi – Ke lenë një numër telefoni.

Qytetari – Po.

Punonjësi – Dhe do të të marrë në telefon, të vish të flasësh vetë me prokuroren për makinën. Të flasësh dhe vetë. Ata do të marrin …

Qytetari – Mos t’a takoj fare unë thua ti?!

Punonjësi – Ç’të t’a takosh, nuk e gjen dot fare se është në gjyq.

Qytetari – Është në gjyq! Dhe nesër është e premte. Edhe nesër po erdha kot ky muhabet. Unë tani sa herë vij këtu duhet të bëj kërkesën?

Punonjësi – Tani ato (kërkesat) që ka prokurorja neve nuk …

Qytetari – Ok, unë po largohem, do vij nesër prapë!

Biseda mes qytetarit dhe Oficerit të Policisë Gjyqësore, Edmond Ruçi, i cili ka hetuar çështjen e vendosjes së tritolit

Qytetari – Dua Edmond Ruçin (OPGj).

Punonjësja – Mondi doli për pak, nuk e di nëse ka ardhur ja të flas. Do presësh pak.

Qytetari – Ok.

Oficeri – Edhe më kërkon dhe ike.

Qytetari – Makina nuk është tani pjesë e hetimit. As unë dhe as makina. Pse s’mund të më japësh makinën?

Oficeri – Fol me atë (prokuroren).

Qytetari – Ose nuk më jep mundësi që t’a takoj.

Oficeri – Që t’a takosh!

Qytetari – Ajo zonja tani ka të drejtë që pjesërisht a do mi thotë ca të dhëna tani. O Mirash kemi arritur …

Oficeri – E, dua një lloj …

Qytetari – Si thua ti?

Oficeri – Dua informacion i thua ti.

Qytetari – Dua të dhëna, dua informacion.

Oficeri – Po pse s’të tha ai që t’i bësh një kërkesë me shkrim?

Qytetari – Po unë tani sa herë vij aty, njëherë më thonë një llaf, njëherë …

Oficeri – Bëje mo.

Qytetari – Karta e kamerës e shtëpisë, dua dhe këtë kartën.

Oficeri – Po.

Qytetari – Telefonin, e dua se është i imi. Ose të më japë një letër me shkrim sepse këto sende Mirashit i janë bllokuar dhe nuk i jepen. Të dhënat e hetimit, u bënë tani 2 muaj, nuk ka dalë në pah asgjë, asnjë lloj emri. U bë të shtëpia ime gjithë ajo plasje me mina, është edhe ato që pe vetë, personi që ka hyrë brenda makinës, njëra-tjetrën, si nuk (e identifikojnë). Policia e Sarandës nuk ka marrë në fshat asnjë.

Oficeri – E ka marrë Vlora atë, e ndjek Vlora hetimin!

Qytetari – E ndjek Vlora?

Oficeri – Po.

Qytetari – Tani Vlora bashkë me ju, a kupton.

Oficeri – Patjetër, po neve ç’na thonë ata bëjmë ne hetimin.

Qytetari – Tani Vlora bashkë me ju, tani u bënë 2 muaj e 1 javë, nuk kanë marrë në pyetje nga fshati edhe sa për formë o vëllai i dashur.

Oficeri – Ato i dinë vetë ata.

Qytetari – Po edhe unë duhet t’a di.

Oficeri – Dhe ç’do të thotë prokurorja. Ajo e drejton, atë po ke të drejtë thuaj …

Qytetari – Duhet t’a di dhe unë o vëlla.

Oficeri – Thuaj një ashtu, deri ku është arritur.

Qytetari – Dua t’a di dhe unë ku ka arritur hetimi, se unë tani jam pjesë e hallit.

Oficeri – Patjetër, jo ti ke të drejtë aty.

Qytetari – Atëherë …

Oficeri – Ti ke të drejtë se je i dëmtuari.

Qytetari – Ok, dhe policia te shtëpia gjatë kohës që unë nuk isha këtu, isha jashtë shtetit, si nuk erdhi njëherë.

Oficeri – Unë të thashë po të kishe shqetësime …

Qytetari – Nuk është gjë e lehtë.

Oficeri – Ti mund t’i thuash kaq vetëm për atë, se mua më vjen çudi se ajo e di pse s’të pranon. Ti bëj një kërkesë tjetër thuaj e bëj këtë nga halli.

Qytetari – O Mondi.

Oficeri – Se unë iki në punë thuaj lëviz me makinë, më duhet.

Qytetari – Ok, dëgjo vëllanë tënd. Unë kam ardhur 3-4 herë atje.

Oficeri – Çfarë të të thotë Mondi, ajo e ka në dorë.

Qytetari – E ka në dorë ajo, po si është e mundur që t’ma bëjë kaq të pamundur.

Oficeri – Ajo e vendos atë punë, nuk e vendosim më neve e kupton.

Qytetari – Edhe ata të Vlorës, hetimet që kanë arritur ata, ku kanë arritur i dinë ata.

Oficeri – Shiko në lidhje me atë që kanë marrë ata, se të thashë që ato që janë marrë janë marrë për të bërë një diçka dhe për të realizuar diçka.

Qytetari – Ok.

Oficeri – Tani ato se ti ke të drejtë, po edhe ata kanë të drejtë se varet se kur i vijnë nga Tirana, nga laboratori, prandaj jo se s’kanë ç’i duan ata. Po këtu njëherë kjo që nuk ashtu pa …

Qytetari – O Mondi unë e di, e kuptoj. Po edhe ai Mirgeni, si e ka ai i Vlorës, që ishte …

Oficeri – S’ka çfarë të thotë Mirgeni njësoj si puna ime është edhe Mirgeni. Mos ashtu me ne, të thashë. Tani çdo gjë e ke me atë (prokuroren) atje, kur të thotë ajo …

Qytetari – Prokuroren.

Oficeri – Kur të thotë prokurorja që hajde, të sqaroj vetë ajo se ajo i ka në dorë.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel