“Ndoshta e bëj sot”, mesazhi rrëqethës i 14-vjeçarit në Turqi pak para se të vriste nëntë persona brenda një shkolle

16/04/2026 22:07

Detaje të rënda kanë dalë në dritë nga sulmi tragjik në një shkollë në Kahramanmaraş, Turqi, ku një nxënës 14-vjeçar hapi zjarr duke vrarë 9 persona, mes tyre 8 nxënës dhe një mësues.

Pak para sulmit, i mituri kishte postuar një mesazh shqetësues në një bisede online në anglisht, ku shkruante: “Mund ta bëj sot tek nxënësit e klasës së tretë, të pestë dhe të gjashtë, përgatituni, ndihem shumë i lodhur sot”.

Fillimisht u raportua se autori kishte kryer vetëvrasje, por hetimet mjeko-ligjore tregojnë një tjetër version. Sipas raportit, ai ka ndërruar jetë nga gjakderdhja e pakontrolluar pas një plage të shkaktuar nga një objekt i mprehtë në këmbën e djathtë, që i kishte këputur një enë të madhe gjaku.

Plaga dyshohet se është shkaktuar gjatë përpjekjeve për ta neutralizuar, kur prindër dhe stafi i shkollës ndërhynë për ta ndalur. Në trupin e tij u gjetën gjurmë gjaku të tharë, ndërsa në duar kishte qese mbrojtëse najloni dhe në shpinë katër elektroda.

Një nga dëshmitarët, Necmettin Bekçiu, baba i dy nxënësve, deklaroi se hyri në shkollë sapo dëgjoi të shtënat dhe pa mësuesit që përpiqeshin ta ndalonin autorin në shkallë. Ai tha se ndërhyri duke përdorur një thikë për ta ndaluar.

“Qëllimi im ishte ta pengoja të arratisej dhe të dëmtonte të tjerët”, u shpreh ai.

Sipas familjes, 14-vjeçari ishte i izoluar dhe kalonte shumë kohë në internet dhe duke luajtur videolojëra me armë. Babai i tij, ish-oficer policie, deklaroi se djali kishte ndjekur një psikolog për dy muajt e fundit.

Një video e publikuar tregon se dy ditë para sulmit, babai e kishte çuar të birin në poligon qitjeje dhe i kishte dhënë këshilla për përdorimin e armës. Armët e përdorura në sulm rezultojnë të kenë qenë të babait, i cili tashmë është arrestuar.

Gjithashtu, hetimet tregojnë se i mituri ishte i ndikuar nga figura të dhunshme, duke përdorur në profilin e tij një referencë ndaj Elliot Rodger, autor i një masakre në SHBA në vitin 2014.

Ngjarja e rëndë ka prekur thellë opinionin publik në Turqi edhe për shkak të aktit heroik të mësueses së matematikës, Ayla Kara, 56 vjeç, e cila humbi jetën duke u përpjekur të mbronte nxënësit.

Sipas raportimeve, ajo vrapoi drejt klasës së pestë sapo dëgjoi të shtënat dhe u përpoq t’i mbulonte fëmijët me trupin e saj, duke marrë plagë fatale. Mësuesja, nënë e tre fëmijëve, ishte shumë e dashur nga nxënësit dhe kolegët.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje të thellë në Turqi dhe më gjerë, duke rikthyer në vëmendje shqetësimet për sigurinë në shkolla dhe ndikimin e dhunës tek të miturit.

Top Channel