SHBA dhe Irani janë përfshirë në bisedime jo direkte me në fokus zgjatjen e armëpushimit dy-javor përtej skadimit të afatit të tij në 22 prill, e nga sa pohon The Guardian, shefi i ushtrisë së Pakistanit ka mbërritur sakaq në Teheran për të vazhduar përpjekjet e ndërmjetësimit.
Karoline Leavitt, sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, e mohoi një ditë më parë që SHBA-ja të ketë kërkuar “zyrtarisht” zgjatjen e armëpushimit dy-javor. Megjithatë, ajo e bëri të qartë se Uashingtoni mbetet “shumë i angazhuar në këto negociata”.
“Një raund i dytë negociatash mund të zhvillohet me shumë gjasë në Islamabad. Shtëpia e Bardhë ndihet mirë për perspektivën e një marrëveshje paqeje. Por asgjë nuk është zyrtare derisa ta dëgjoni nga ne këtu”, deklaroi Karoline Leavitt, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.
Komentet e saj erdhën në kohën kur zyrtarë pakistanezë nisën një raund të ri të asaj që konsiderohet si “diplomaci e ecejakeve” në përpjekje për të negociuar fundin e konfliktit, duke udhëtuar drejt iranit dhe vendeve të tjera të rajonit për të grumbulluar mbështetje diplomatike për një marrëveshje paqeje. Në një të njëjtën ditë kur Asim Munir udhëhoqi një delegacion pakistanez në Teheran për të përcjellë një mesazh nga Uashingtoni, teksa po punon për të organizuar raundin e dytë të negociatave për armëpushim midis SHBA-së dhe Iranit, kryeministri i Pakistanit Shehbaz Sharif, nisi një turne katër-ditor në Arabinë Saudite, Katar dhe Turqi, duke koordinuar përkrahjen nga fuqitë e tjera rajonale.
Raportet nga rajoni sugjerojnë se të dyja palët ishin në favor të zgjatjes së armëpushimit, edhe pse Donald Trump deklaroi më herët se një zgjatje e pushimzjarrit mund të mos jetë e nevojshme për të siguruar një ujdi paqeje. Burimet në Teheran thanë se Irani kërkonte një fund të sulmeve izraelite ndaj Libanit si parakusht për një raund tjetër negociatash me SHBA-në. Dy zyrtarë libanezë i thanë Reuters se prisnin që një armëpushim me Izraelin të shpallej “shumë shpejt”, por nuk dhanë më shumë detaje mbi negociatat.
Trump vazhdon parashikimet e tij për një fund të shpejtë të luftës, e pohoi për Fox News se kur kjo të ndodhë, do të ketë një rënie të fortë e çmimit të naftës, i cili vazhdoi të luhatej një ditë më parë tek 95 dollarët për fuci mes pasigurisë së tregjeve mbi të ardhmen e bisedimeve për paqe.
Top Channel