Plagosi një person në vitin 2023 në bashkëpunim me vëllanë e tij, arrestohet në Shëngjin 22-vjeçari
Policia ka arrestuar mesditën e sotme katër persona pas zjarrit që përfshiu një pallat pranë Farmacisë 10 në Tiranë një ditë më parë.
Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, mëson se mes të arrestuarve është edhe menaxheri e marketit, i cili ndodhej në katin e parë, nga ku dyshohet se nisi zjarri që më pas përpiu të gjithë fasadën e pallatit. Në pranga ka rënë edhe administratori I pallatit dhe dy persona të tjerë.
Deri në këto momente bëhet fjalë për 71 apartamente të dëmtuar, ndërkohë që po verifikohet se sa prej tyre janë djegur plotësisht dhe sa pjesërisht.
Burimet bëjnë të ditur gjithashtu se administratori i firmës që ka ndërtuar pallatin, A.L është shpallur në kërkim nga Policia. Megjithatë deri në këto momente ai nuk është lokalizuar ende se ku ndodhet.
Kompania Arlis ka reaguar një ditë pas ngjarjes duke thënë se objekti është ndërtuar në përputhje me lejen e ndërtimit dhe punimet e kryera në godinë janë kontrolluar dhe certifikuar nga organet kompetente.
“Megjithatë, shoqëria “Arlis Ndërtim” shpk pavarësisht se nuk mbart asnjë përgjegjësi ligjore, por në kuadër të përgjegjësisë sociale si kompani, si dhe angazhimit të saj për të qenë pranë njerëzve që e kanë besuar dhe banorëve të prekur, merr përsipër me shpenzimet e saj, rindërtimin e plotë të fasadës së pallatit të dëmtuar nga zjarri si dhe rindërtimin e të gjithë apartamenteve të dëmtuara duke i kthyer në gjendjen fillestare, pra në të njëjtat kushte që banorët e kanë marrë apartamentin me çelësa në dorë në momentin e dorëzimit”, njofton firma që ka ndërtuar pallatin pranë QSUT-së.
Përditësimet live, 15/04/2026:
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka shkuar sot në ambientet e pallatit të djegur ditën e djeshme pranë spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë. Me anë të një videoje në Facebook, deputeti Braçe shpreh mirënjohjen për të gjithë zjarrfikësit që ishin në krye të detyrës, por gjithashtu kërkon të hetohet e gjithë ngjarja dhe autoritetet përkatëse të marrin përgjegjësinë e duhur.
Policia e Tiranës ka njoftuar zyrtarisht se 4 persona janë arrestuar, pas zjarrit që përfshiu pallatin pranë QSUT një ditë më parë, ndërsa hetimi penal ka nisur edhe për pronarin e pallatit.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për zjarrin që ra pasditen e së martës në një pallat pranë spitalit “Nënë Tereza”. Me anë të një postimi në platformën “X”, Rama shkruan se pallati në kompleksin “Arlis”, do të rindërtohet 100% nga vetë ndërtuesi.
12:50 VIDEO/ Zjarri që ‘përpiu’ pallatin pranë QSUT, shikoni si janë shkrumbuar apartamentet në brendësi
Top Channel ka siguruar pamjet nga brenda apartamenteve që u shkrumbuan nga zjarri që përfshiu një pallat shumëkatësh përballë QSUT-së. Nga pamjet e siguruara nga gazetarja Dorjana Bezat, shihet një apartament totalisht i djegur, ndërsa nuk ka shpëtuar asgjë nga flakët.
Një qytetare në një prononcim për mediat shprehet se që prej pasdites së djeshme ka humbur kontaktet me shoqen e saj. Ajo tha se e telefonon, por celulari rezulton i fikur. “E telefonoj, por e ka të fikur. Nuk kam folur që dje pasdite, ndaj erdha të pyes. Mendoj se do jetë larguar nga shtëpia, pasi jetonte vetëm. Është rreth 70 vjeçe.”, u shpreh ajo.
Një nga banorët e pallatit që u përfshi nga zjarri ditën e djeshme pranë QSUT-së, ka dhënë një prononcim për mediat ku ka treguar se ka humbur banesën e tij nga flakët. Ai tha se shtëpinë e ka blerë para 2 vitesh me vlerë 15 mijë euro, ndërsa shtoi se natën e ka kaluar jashtë, pasi nuk ka ku të qëndrojë në Tiranë.
Geron Imeraj dhe Andys Gjoshi janë dy nga dhjetëra zjarrfikës që kanë luftuar me flakët që përfshinë pallatin 12 katësh përballë QSUT një ditë më parë. Ata kanë qëndruar përgjatë gjithë natës në terren, për të qenë në dispozicion të ndonjë vatre që mund të aktivizohej dhe për të parandaluar përhapjen.
Një zjarr i fuqishëm përfshiu një pallat, pjesë e një kompleksi, në afërsi të QSUT në Tiranë gjatë ditës së djeshme, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Mëngjesin e sotëm, pas shuarjes së flakëve, pamjet nga vendngjarja tregojnë një situatë të rëndë, ku fasada e ndërtesës është djegur pothuajse tërësisht.
Inspektorati i Përgjithshëm ka reaguar në lidhje me zjarrin e madh që shkrumboi pallatin në Tiranë, duke zbuluar se është ngritur grupi i punës për inspektim i menjëhershëm të shkaqeve të këtij aksidenti.
10:03 Zjarri në pallatin pranë QSUT, qytetarët e asfiksuar nga tymi dalin nga spitali
Qytetarët dhe zjarrfikësit e asfiksuar nga tymi pas zjarrit të fuqishëm pranë QSUT në Tiranë, janë duke lënë ambientet e spitalit, pasi mësohet se ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu vizitoi mëngjesin e sotëm në QSUNT personat e lënduar nga zjarri i pasdites së djeshme, për t’u njohur nga afër me gjendjen e tyre shëndetësore dhe ecurinë e trajtimit.
Top Channel