Goditja e grupit kriminal të trafikut të kokainës, SPAK njoftim zyrtar: Sekuestrohen mbi 12 mln euro dhe 89 automjete, lëshohen 11 urdhër-arreste Policia e Tiranës ka njoftuar zyrtarisht se 4 persona janë arrestuar, pas zjarrit që përfshiu pallatin pranë QSUT një ditë më parë, ndërsa hetimi penal ka nisur edhe për pronarin e pallatit.
Sipas bluve të Tiranës, nga veprimet e para hetimore dyshohet se në ambientin e pasmë të marketit që menaxhonte shtetasja R.S në rrethana të paqarta ka rënë zjarr në një vend ku ishin grumbulluar mbeturina, ku kjo shtetase nuk kishte marrë masa për heqjen e tyre.
Njoftimi i plotë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për përcaktimin e shkaqeve të rënies dhe të përhapjes së zjarrit, dje, në një kompleks banimi te Rruga e Dibrës, arrestuan shtetasit:
-A. C., 54 vjeç, administratori i kompleksit të pallateve, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;
-R. S., 54 vjeçe, menaxherja e marketit në katin e parë të kompleksit, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;
-E. A., 66 vjeç, inxhinier drejtues i punimeve për ndërtimin e këtij kompleksi, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;
-A. F., 46 vjeç, administratori i subjektit që ka bërë punimet për fasadën e kompleksit, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Gjithashtu, nisi hetimi penal për shtetaset S. A. dhe E. M., punonjëse në market, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, si dhe për shtetasit A. L., 48 vjeç, pronari i kompleksit të pallateve, dhe Sh. B., 41 vjeç, i kontraktuari për ndërtimin e kompleksit.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se në ambientin e pasmë të marketit që menaxhonte shtetasja R. S., në rrethana të paqarta ka rënë zjarr në një vend ku ishin grumbulluar mbeturina, ku kjo shtetase nuk kishte marrë masa për heqjen e tyre.
Gjithashtu, shtetasi A. C., administrator i kompleksit të banimit, dyshohet se nuk ka kryer veprimet e nevojshme për kontrollin e funksionalitetit të masave mbrojtëse për zjarrin dhe shpëtimin.
Nga flakët u dëmtuan 11 shtetas (punonjës të DPMZSh-së dhe banore të pallatit), të cilët vijojnë të marrin mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Grupi i posaçëm hetimor po vijon punën në vendngjarje, për të përcaktuar dëmin material total të shkaktuar nga zjarri.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve përgjegjës për këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore.
Top Channel