Që nga 13 prilli kur hyri në fuqi bllokada detare e Washingtonit në Ngushticën e Hormuzit, marina e Shteteve të Bashkuara ka detyruar tetë anije cisternë të lidhura me Iranin që të ndryshojnë drejtim.

Wall Street Journal raporton se njësitë e Marinës amerikane kontaktuan me radio anijet që hynin dhe dilnin nga portet iraniane, duke i urdhëruar të ktheheshin mbrapsht.

Të gjitha cisternat i përmbaheshin udhëzimeve dhe nuk ishte e nevojshme ndonjë bastisje, shton gazeta. Donald Trump duket besimplotë: Presidenti amerikan i tha ABC News se nuk po mendon për një zgjatje të armëpushimit.

“Mund të përfundojë në të dyja mënyrat, por unë mendoj se një marrëveshje do të ishte rruga e preferuar”, u shpreh presidenti amerikan. Strategjia e tij me Ngushticën e Hormuzit megjithatë sipas ekspertëve, nuk është pa rrezik.

Në teori, ekonomia globale mund të përballet me një mbyllje të dyfishtë. Sipas të dhënave amerikane, vetëm anijet që nisen nga ose synojnë portet iraniane në Gjirin Persik ose Gjirin e Omanit do të bllokohen.

Qëllimi i bllokadës së SHBA-së është të detyrojë Iranin të heqë bllokadën e tij. Më shumë se 15 anije luftarake amerikane janë angazhuar në operacion.

Në mesin e tyre janë një aeroplanmbajtëse, disa shkatërrues raketash dhe anije sulmuese amfibe, sipas zyrtarëve të Wall Street Journal.

Disa anije do të shoqërojnë anijet tregtare në zona të caktuara, ndërsa të tjera mund të vendosen jashtë Ngushticës për të shmangur kërcënimin e menjëhershëm iranian.

Por lëvizja e Trumpit rrezikon pasojat për ekonominë globale, për shkak të mundësisë së rritjes së çmimeve të energjisë dhe presionit politik për një ujdi, dhe sa për Iranin vetë, ai fare mirë, sipas analistëve, mund të vazhdojë eksportin përmes Detit Kaspik, hekurudhave dhe naftësjellësve.

 

Top Channel