LIVE/ Digjet i gjithë pallati përballë spitalit “Nënë Tereza”, evakuohen banorët. 8 të asfiksuar, të moshuarit ndihmohen të dalin nga flakët, zjarrfikësit dhe helikopterët tre orë në luftë me zjarrin

14/04/2026 21:30

Një pallat është përfshirë nga flakët pasditen e kësaj të marte në Tiranë, përballë spitalit “Nënë Tereza”.

Flakët përpinë të gjithë pallatin duke e djegur brenda pak minutash, ndërsa banorët nxituan të evakuoheshin. Në pamjet e siguruara nga gazetari i Top Channel Bledar Korreshi, shiheshin banorët, mes tyre të moshuar që dilnin nga ndërtesa.

Në vendin e ngjarjes ndodhen disa forca zjarrëfikëse, por mbeten ende të paqarta rrethanat sesi ra zjarri që dogji gjithë fasadën e jashtme të banesës. Deri në këto momente janë asfiksuar nga flakët 8 persona, mes tyre 6 zjarrfikës dhe 2 qytetarë.

Ndërkohë raportohet për dëme të konsiderueshme materiale. Në ndihmë të zjarrfikësve janë edhe 2 helikopterë Cougar. Në vendin e ngjarjes ndodhet i ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.

21:24 Ministri Lamallari viziton 6 zjarrfikësit dhe 2 qytetarët e asfiksuar nga zjarri në kryeqytet: Fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën

Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari ka vizituar persona e lënduar që ndodhen në QSUT, pas zjarrit të rënë në pallatin 12-katësh në kryeqytet. Ministri është shprehur se 6 efektivët zjarrfikës dhe 2 qytetarët e lënduar janë jashtë rrezikut për jetën.

20:37 Zjarri përfshiu pallatin 12-katësh, inxhinieri publikon kërkesën drejtuar Kuvendit: Ngjarje e paralajmëruar

Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu një pallat 12-katësh pasditen e kësaj të marte në Tiranë, ndërsa forcat zjarrfikëse luftuan për mbi 3 orë me flakët. Nga të dhënat paraprake dyshohet se zjarri nisi në katet e para dhe u ngjit me shpejtësi deri në katin e sipërm përmes fasadës së jashtme.

20:13 “Flakët nisën në një biznes në katin e parë”/ Zjarri në pallatin në Tiranë, drejtori i zjarrfikësve të Tiranës: Fasada ndikoi në përhapjen e vatrës

Shkëlqim Goxhaj, drejtor i zjarrfikësve të Tiranës dha një deklaratë për mediat, ku tregoi shkakun e nisjes së zjarrit në pallatin 12-katësh pranë spitalit “Nënë Tereza”. Ai u shpreh se zjarri nisi në një biznes në katin e parë të pallatit dhe fasada ndikoi në përhapjen e flakëve.

19:54 Video/ Zjarri i frikshëm që përfshiu pallatin 12-katësh pranë QSUT, shihni pamjet me dron

Top Channel ka siguruar pamjet me dron nga momenti kur pallati 12-katësh i ndërtuar nga kompania ‘Arlis Construction’ pranë spitalit “Nënë Tereza” u përfshi nga flakët. Siç duket edhe nga pamjet, flakët përfshinë pothuajse të gjithë pallatin, duke e djegur brenda pak minutash.

19:41 Zjarri në pallatin shumëkatësh pranë spitalit “Nënë Tereza”, reagon Ministria e Mbrojtjes: Në vendngjarje dhjetëra forca zjarrfikëse

Ministria e Mbrojtjes ka reaguar pas zjarrit të rënë në një kompleks banimi në kryeqytet, duke bërë të ditur se situata po ndiqet nga afër dhe janë angazhuar forca të shumta në terren.

19:23 “RENEA u angazhuar për hapjen e dyerve”/ Zjarri në pallatin në Tiranë, Skënder Hita: Nëse ka qenë e qëllimshme, do të merren masa

“Do ju bëjmë me dije bilancin kur të shuhen flakët. Janë paraqitur punonjësit e zjarrfikëses, kanë djegie të vogla dhe nuk kanë probleme të rënda. Banesat janë ende në pushtetin e zjarrit. Është akoma shpejt për të folur për vatrën e zjarrit, po marrim të gjitha kamerat e sigurisë, të gjithë personat do pyeten”, u shpreh shefi i zjarrfikëses.

19:09 Fotolajm/ Zjarrfikësit dy orë në luftë me flakët, çfarë ka mbetur pas nga zjarri që përpiu të gjithë pallatin pranë QSUT

Një zjarr i madh ka përfshirë një pallat në një kompleks banimi pranë QSUT në Tiranë. Flakët, që nisën në fasadën e pallatit, përpinë gjysmën e tij, përfshirë dhe shumë banesa. Prej më shumë se dy orësh, zjarrfikësit kanë qenë në luftë me flakët, ndërsa raportohet se tre prej tyre janë dërguar në urgjencën e QSUT.

18:58 7 persona të asfiksuar nga zjarri, dërgohen në urgjencën e QSUT

7 persona kanë mbetur të asfiksuar nga zjarri i rënë këtë pasdite pranë spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë. 3 zjarrfikës dhe 4 qytetarë janë dërguar në urgjencën e QSUT, raporton gazetarja e Top Channel Alma Demiraj.

18:29 Video/ Helikopteri i vjen në ndihmë zjarrfikësve, tenton të shuajë flakët duke hedhur ujë mbi pallat

Në ndihmë të zjarrfikësve ka mbërritur edhe një helikopter, i cili po hedh ujë për të shuar flakët e pallatit pranë spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë. Zjarri vijon prej më shumë se një ore e gjysmë, ndërsa po evakuohen edhe banorët.

18:14 Videolajm/ Zjarri në Tiranë, momenti kur zjarrfikësit shpëtojnë të moshuarën mes flakëve

Një zjarr i frikshëm ka përfshirë një pallat në një kompleks banimi në Tiranë, përballë spitalit “Nënë Tereza”. Në pamjet e siguruara nga Top Channel, shihet momenti kur zjarrfikësit zbresin me anë të shkallëve një të moshuar, e cila kishte ngelur brenda në banesë.

18:13 Dy qytetarë dhe dy zjarrfikës të asfiksuar nga zjarri, dërgohen në urgjencën e QSUT

Dy qytetarë dhe dy zjarrfikës kanë mbetur të asfiksuar nga zjarri i rënë këtë pasdite pranë spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë. Ata janë dërguar në urgjencën e QSUT.

18:06 Zjarri masiv në Tiranë/ Momenti kur zjarrfikësit tentojnë të shuajnë flakët, ngjiten me shkallë pranë ballkoneve

Një pallat është përfshirë nga flakët pasditen e kësaj të marte në Tiranë, përballë spitalit “Nënë Tereza”. Siç duket edhe nga pamjet, forcat zjarrfikëse kanë shkuar në vendngjarje për të vënë nën kontroll flakët. Ata kanë përdorur edhe shkallë për t’u afruar pranë ballkoneve të pallatit, duke hedhur ujë dhe duke u përpjekur të shuajnë zjarrin.

17:35 Zjarri i frikshëm në Tiranë/ Në vendngjarje ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari

Një zjarr i frikshëm ka rënë në Tiranë, në një kompleks banimi përballë spitalit “Nënë Tereza”. Në vendngjarje ka shkuar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallti. Siç raportohet, nga zjarri nuk ka të lënduar, ndërsa flakët kanë përfshirë fasadën e pallatit.

17:29 Video/ Pamje të frikshme nga zjarri në Tiranë, momenti kur e moshuara del nga flakët

Një zjarr i madh ka përfshirë fasadën e një pallati në një kompleks banimi përballë spitalit “Nënë Tereza”. Tymi ka përfshirë të gjithë zonën, ndërsa raportohet se nuk ka asnjë të lënduar.

17:28 Pamje dramatike nga zjarri në Tiranë, banorët largohen me nxitim nga flakët

Këto pamje dramatike vijnë nga një pallat i cili mori flakë mesditën e kësaj të marte pranë spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë. Në videot e siguruara nga Top Channel, duket teksa një vajzë vrapon me qenin në krahë, duke dalë nga pallati.

17:21 Përkeqësohet situata me zjarrin përballë spitalit “Nënë Tereza”, rrezikojnë të marrin flakë edhe pallatet e tjera

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë fasadën e jashtme të një kompleksi banimi përballë spitalit “Nën Tereza” në Tiranë. Sikurse duket nga pamjet e sjella nga Top Channel, zjarri rrezikon të përfshijë edhe pallatin tjetër që ndodhet pranë.

17:14 Zjarr në kompleksin e banimit përballë “Nënë Terezës”, flakët përfshijnë fasadën e jashtme të pallatit, zjarrfikëset në vendngjarje

Një zjarr ka rënë në një kompleks banimi përballë spitalit “Nënë Tereza”. Në pamjet e siguruara nga Top Channel, shikohet që fasada e pallatit është mbuluar nga flakët, ndërsa tymi ka mbuluar zonën.

Top Channel