“Ndoshta diçka do të ndodhë në Pakistan në dy ditët e ardhshme”, Trump lë të hapur mundësinë e bisedimeve me Iranin
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë deklarata të forta ndaj kryeministres së Italisë dhe kreut të Kishës Katolike gjatë një intervistë për gazetën italiane Corriere della Sera.
Duke folur për kryeministren italiane Giorgia Meloni, Trump u shpreh se është “i shokuar” nga qëndrimi i saj dhe se Italia nuk po bashkëpunon në çështjet e lidhura me luftën dhe sigurinë energjetike.
“Ajo nuk dëshiron të na ndihmojë, mendova se kishte guxim, por gabohesha,” tha Trump. Ai kritikoi gjithashtu edhe rolin e Evropës në krizën energjetike dhe emigracionin, duke thënë se politikat aktuale po dëmtojnë vetë kontinentin.
Trump u shpreh kritik edhe ndaj Papa Leonit, duke thënë se nuk e kupton situatën e Iranit dhe kërcënimet që, sipas tij, lidhen me armët bërthamore. “Papa nuk e kupton çfarë po ndodh dhe nuk duhet të flasë për luftën. Ai nuk e kupton dhe nuk duhet të flasë për luftë, sepse nuk ka idenë se çfarë po ndodh. Ai nuk e kupton që 42,000 protestues u vranë në Iran muajin e kaluar,” deklaroi ai.
Presidenti amerikan tha gjithashtu se vendet e NATO-s nuk po kontribuojnë sa duhet në çështjet e sigurisë dhe se, sipas tij, aleanca “nuk po funksionon siç duhet”.
Pjesë nga intervista:
Trump: A ju pëlqen juve italianëve fakti që kryeministrja juaj nuk po bën asgjë për të siguruar naftë? A u pëlqen njerëzve ajo? Nuk mund ta imagjinoj. Jam i shokuar prej saj. Mendova se kishte guxim, por gabohesha.”
A keni folur për këtë gjë?
Trump: Jo. Ajo thjesht thotë se Italia nuk dëshiron të përfshihet. Edhe pse Italia e merr naftën nga atje, edhe pse Amerika është shumë e rëndësishme për Italinë, ajo nuk mendon se Italia duhet të përfshihet. Ajo mendon se Amerika duhet ta bëjë punën për të.
Trump për deklaratat ndaj Papës: Është ajo që është e papranueshme, sepse nuk i intereson nëse Irani ka një armë bërthamore dhe do ta hidhte në erë Italinë brenda dy minutash nëse do të kishte mundësi.
Por a folët për këto gjëra?
Trump: Jo…
A nuk ke folur asnjë herë këtë muaj?
Trump: Jo, jo nuk kemi folur për një kohë të gjatë.
Pse?
Trump: Sepse ajo nuk do të na ndihmojë me NATO-n, nuk do të na ndihmojë të heqim dorë nga armët bërthamore. Është shumë ndryshe nga sa mendoja unë.
Ai kritikoi edhe politikat e emigracionit në Evropë, duke pretenduar se ato po dëmtojnë stabilitetin e vendeve evropiane. “Evropa po shkatërron veten nga brenda me politikat e saj të imigracionit dhe energjisë. Ata paguajnë kostot më të larta të energjisë në botë dhe as nuk janë të përgatitur të luftojnë për Ngushticën e Hormuzit, nga ku e marrin atë. Ata varen nga Donald Trump për ta mbajtur atë të hapur”, tha ai.
Kur u pyet nëse i kishte kërkuar Italisë të përdorte minahedhës, presidenti amerikan tha: “U kërkova të dërgonin çfarë të donin, por ata nuk duan sepse NATO është një tigër letre.”
Po ashtu Trump u pyet për humbjen e Orban në zgjedhjet në Hungari, ku tha “Ai ishte një mik i imi, një njeri i mirë. Ai bëri një punë të mirë me imigracionin, ai nuk i la njerëzit të vinin dhe ta shkatërronin vendin e tij siç bëri Italia”.
Top Channel