Fiks Fare/ “Më kërcënoi për foshnjën në bark”, punonjësja shtatzënë denoncon dhunë psikologjike në kompani. Policia e Fierit nuk regjistron kallëzim

14/04/2026 20:50

Një rast shqetësues është denoncuar në emisionin “Fiks Fare”, ku një punonjëse shtatzënë akuzon përgjegjësin e sektorit në kompaninë “Yura” për dhunë psikologjike, ofendime dhe kërcënime të vazhdueshme.

Alketa Avdiko, e punësuar prej dy vitesh në këtë kompani që merret me prodhimin e pajisjeve për automjete, tregon se situata u përkeqësua pasi ajo refuzoi të punonte turnin e tretë për shkak të shtatzënisë. Sipas saj, përgjegjësi reagoi me presion dhe fyerje, duke i thënë se nuk i intereson gjendja e saj shëndetësore, por vetëm realizimi i punës.

Punonjësja pretendon se është ndjerë e kërcënuar edhe për sigurinë e saj dhe të foshnjës që pret. Ajo rrëfen se drejtuesi i ka thënë: “Do ta tregoj unë ty dhe atij që ke në bark”. Kjo situatë e ka detyruar të shkojë në punë me frikë, ndërsa shton se është paralajmëruar edhe për masa ndëshkuese nëse qëndron ulur më shumë se disa minuta, pavarësisht gjendjes së saj.

E përballur me këtë situatë, ajo është drejtuar fillimisht te përgjegjësja dhe më pas te sektori i burimeve njerëzore, por pretendon se nuk ka marrë zgjidhje konkrete dhe se është refuzuar edhe një ballafaqim mes palëve. Sipas saj, kompania ka qenë në dijeni edhe për ankesa të tjera, por nuk ka ndërhyrë.

Gazetarët e “Fiks Fare” u paraqitën pranë kompanisë për një reagim zyrtar, por fillimisht iu kërkuan të dhënat personale dhe më pas iu komunikua se, si subjekt privat, kompania nuk jep deklarata.

Në lidhje me rastin, Drejtoria Vendore e Policisë Fier bën me dije se më datë 19.03.2026, rreth orës 18:00, është marrë një telefonatë nga shtetasja Alketa Avdiko, e cila ka kërkuar ndërhyrjen e policisë pas një konflikti në ambientet e kompanisë.

Sipas policisë, një patrullë ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka shoqëruar në Komisariatin e Policisë Fier të dy personat e përfshirë. Gjatë qëndrimit në komisariat, punonjësja është shprehur se nuk ndihej mirë dhe është kërkuar ndihma e ambulancës.

Pas marrjes së ndihmës mjekësore, ajo ka deklaruar se konflikti lidhej me kërkesën e saj për ndërrim turni për arsye shëndetësore dhe se ishte ndjerë e frikësuar nga toni i lartë i përgjegjësit.

Nga ana tjetër, përgjegjësi Dashamir Gjojdeshi ka deklaruar se debati kishte motive pune dhe se ngritja e zërit kishte ardhur për shkak të zhurmës së makinerive, duke mohuar përdorimin e fjalëve fyese apo dhunë fizike.

Në përfundim, pas dhënies së deklarimeve dhe firmosjes së procesverbalit, të dy palët janë lënë të lirë. Policia nuk regjistroi kallëzim dhe nuk e referoi rastin në Prokurori.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel