“Flakët nisën në një biznes në katin e parë”/ Zjarri në pallatin në Tiranë, drejtori i zjarrfikësve të Tiranës: Fasada ndikoi në përhapjen e vatrës

14/04/2026 20:13

Shkëlqim Goxhaj, drejtor i zjarrfikësve të Tiranës dha një deklaratë për mediat, ku tregoi shkakun e nisjes së zjarrit në pallatin 12-katësh pranë spitalit “Nënë Tereza”.

Ai u shpreh se zjarri nisi në një biznes në katin e parë të pallatit dhe fasada ndikoi në përhapjen e flakëve.

“Autoshkallat janë në vendngjarje, janë duke punuar. Janë tre autoshkalla. Dy në aktivitet, një në pjesën veriore. Kemi futur të gjitha mjetet e nevojshme për të mundësuar shuarjen e zjarrit.

Nga volumi i zjarrit që shohim, zjarri ka nisur në katin e parë të objektit, ku ka qenë një biznes. Pas vendosjes nën kontroll të situatës, do të nisim ekspertizën zyrtare për nisjen e zjarrit. Ne u përqendruam në të dyja skajet e vatrave të zjarrit. Kemi përqendruar forca edhe në tarracë. Deri më tani nuk kemi informacion për pasoja fatale, gjë që është shumë e rëndësishme.

Fasada ka ndikuar në përhapjen e vatrës së zjarrit”, tha Goxhaj.

Top Channel