Pronat e kreut spanjoll të një skeme piramidale sekuestrohen dy herë në Shqipëri/ Mbi 23 hektarë tokë në Dhërmi, makina dhe llogari bankare
Alma Muça është mësuese prej 40 vitesh. Vetëm edhe një vit e ndan nga pensioni, por çdo mëngjes ajo përballet me një realitet të hidhur. Pret në mes të rrugës, në shi, erë dhe të ftohtë, autobusin që shpesh vonon ose nuk ndalon më aty ku ndalonte dikur.
Alma udhëton çdo ditë nga Përmeti për të dhënë mësim në shkollën 9-vjeçare të Petranit, rreth 7 kilometra larg. Më parë, mësuesit kishin një linjë të dedikuar transporti, por pas ndryshimit të tenderit, gjithçka u hoq. Sot, linja Përmet–Iljarë është zhvendosur dhe stacioni i ri është shumë larg për mësuesit.
“Pres çdo mëngjes rreth një orë. Hyj e lagur në klasë dhe dal e lagur. Në verë rri nën diell me çadër, në dimër me shi e erë. Ku është vlerësimi për mësuesin?”, shprehet Alma për emisionin “Fiks Fare”.
Në çantën e saj mban gjithmonë një qese plastike, për të mbrojtur librat dhe fletoret nga shiu. Ditën e intervistës, ajo ishte e sëmurë nga lagia e vazhdueshme, por sërish kishte shkuar në mësim.
20 mijë lekë në muaj për transport, taksia kushton 5 mijë lekë në ditë
Zyra Vendore Arsimore i kalon mësueses 20 mijë lekë në muaj për transport. Një shumë që, sipas saj, nuk mjafton as për gjysmën e shpenzimeve reale.
“Një taksi kushton rreth 5 mijë lekë në ditë. Me 20 mijë lekë në muaj nuk mbuloj as disa ditë”, thotë Alma.
Nga ana tjetër, Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar (DRAP) Fier pranon se nuk ka lidhur kontratë me asnjë operator transporti. Sipas saj, tenderat për transportin nuk janë realizuar, pasi nuk ka pasur operatorë të interesuar dhe tashmë procedurat kryhen nga Drejtoria e Prokurimeve të Përqendruara në Tiranë.
“Ne nuk kemi detyrim të sigurojmë autobus. Lekët kalojnë në llogaritë personale të mësuesve sipas VKM-së”, shprehet specialistja e DRAP-it, duke shtuar se raste të tilla ka me dhjetëra në zona rurale si Përmeti, Tepelena, Gjirokastra, Saranda e Selenica.
Pa zgjidhje, pa përgjigje, pa dinjitet
Edhe pse mësuesja ka dërguar e-mail për shqetësimin e saj, DRAP deklaron se nuk ka marrë asnjë ankesë zyrtare. Ndërkohë, zgjidhja e vetme që ofrohet është që mësuesit “të merren vesh mes tyre” ose të bashkëpunojnë me mjetet e linjës.
Një përgjigje që për Almën dhe dhjetëra mësues të tjerë përkthehet në një fjali të vetme “pritje në rrugë, çdo ditë, pa alternativë”.
Ndërsa institucionet hedhin përgjegjësinë nga njëra-tjetra, mësuesit vazhdojnë të shkojnë në shkollë të lagur, të sëmurë dhe të lodhur.
A është kjo mënyra sesi shteti duhet të shpërblejë ata që kanë edukuar breza të tërë?
Top Channel