Sulm me dronë natën e Vitit të Ri, Ukraina godet territorin e pushtuar nga Rusia/ 24 persona humbin jetën

01/01/2026 17:29

Një sulm me dronë ukrainas ka vrarë 24 persona dhe ka plagosur të paktën 50 të tjerë teksa ata po festonin Vitin e Ri në një fshat të Ukrainës në rajonin e Khersonit, i cili ndodhet nën pushtim rus, thanë zyrtarë rusë.

Ngjarja vjen në një kohë kur tensionet mes dy vendeve vazhdojnë të rriten, pavarësisht se diplomatët flasin për bisedime për paqe.

Sipas Vladimir Saldo, udhëheqësit të instaluar nga Moska në këtë rajon, tre dronë goditën një kafene dhe një hotel në qytetin turistik Khorly, në bregdetin e Detit të Zi.

Sulmi u dënua nga disa zyrtarë rusë. Valentina Matviyenko, kryetare e dhomës së lartë të parlamentit rus, Këshillit të Federatës, tha se goditja “forcoi” vendosmërinë e Rusisë për të arritur shpejt qëllimet e saj në luftën gati katërvjeçare në Ukrainë.

Ajo shtoi: “Sulmi tregon edhe një herë vlefshmërinë e kërkesave tona fillestare”.

Deklaratat vijnë pas pretendimeve të Moskës se Ukraina ka nisur një sulm me dronë me rreze të gjatë kundër një prej rezidencave zyrtare të presidentit rus Vladimir Putin në veriperëndim të Rusisë.

Kievi i ka quajtur këto pretendime “gënjeshtër”.

Ndërekoh Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë është 90% e gatshme, duke theksuar se pjesa e mbetur e marrëveshjes do të vendosë fatin e Ukrainës dhe të gjithë Evropës.

Fjalimi i tij i Vitit të Ri, që u përqendrua në rezistencën ndaj pushtimit të Moskës, përsëriti angazhimin e Ukrainës për një paqe që nuk do të nënkuptonte humbjen e territorit të saj.

Zelensky nënvizoi se, nëse Ukraina tërhiqet nga rajoni i Donbasit, kjo do të shënonte fundin për të, duke e bërë të pamundur një marrëveshje paqeje që përfshin dorëzimin e territorit.

Ai kritikoi gjithashtu pozicionin e Rusisë që kërkon kontroll të plotë mbi Donbasin si një pengesë për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme.

Presidenti ukrainas ka kërkuar gjithashtu garanci të forta sigurie nga aleatët ndërkombëtarë, duke theksuar se vetëm një marrëveshje e plotë dhe e siguruar mund të parandalojë përshkallëzimin e luftës.

Në kontrast me fjalimin e Zelenskyt, presidenti rus Vladimir Putin ka mbajtur një fjalim më të shkurtër, duke u përqendruar te mbështetje e trupave ruse.

Top Channel