Një histori absurde ka dalë në dritë nga qyteti i Kukësit, ku një qytetar pretendon se prokuroria i ka humbur paratë e sekuestruara gjatë një hetimi penal.

Bëhet fjalë për Hysni Hanin, i cili u arrestua në flagrancë në Fushë-Krujë, pasi akuzohej se do të blinte një armë për ta shitur më pas. Pas përfundimit të proceseve gjyqësore, Hani u dënua me 13 muaj burg, nga të cilët kreu 7 muaj e 15 ditë.

Në momentin e arrestimit, atij iu sekuestruan 1 milion lekë të vjetra, 500 euro, dy celularë dhe automjeti me të cilin udhëtonte. Të gjitha këto u regjistruan si prova materiale nga prokuroria, me detyrim që pas përfundimit të çështjes t’i ktheheshin pronarit.

Por kur Hysni Hani u paraqit për t’i tërhequr sendet dhe paratë, prokuroria i tha se mungonin pjesa më e madhe e shumës. Nga 1 milion lekë të vjetra dhe 500 euro, atij iu dorëzuan vetëm 100 mijë lekë dhe 100 euro, bashkë me celularët.

“I pyeta ku janë paratë e mia, dhe më thanë ‘nuk e dimë’. Si është e mundur të humbasin paratë në prokurori?”, tregon Hani për emisionin Fiks Fare, ku kërkoi ndihmë për të gjetur të vërtetën.

Rasti është hetuar edhe nga Prokuroria e Shkodrës, e cila ka regjistruar procedimin penal për veprën ‘Vjedhje duke shpërdoruar detyrën’.
Megjithatë, pas disa muajsh hetime, prokuroria ka vendosur pezullimin e çështjes, me arsyetimin se nuk është gjetur autori i vjedhjes.

Në vendimin e prokurorisë janë përfshirë deklaratat e 7 punonjësve të Prokurorisë së Kukësit, nga oficerë të policisë gjyqësore e deri te sekretarja. Të gjithë mohojnë të kenë hapur zarfin apo të kenë marrë paratë.

Kryesekretari i Prokurorisë Kukës, Flamur Cejku, i cili është pyetur gjatë hetimit, tha për Fiks Fare se “zarfi ka bërë rrugën nga prokuroria në gjykatën e shkallës së parë, pastaj në apel, e më pas është kthyer”, duke shtuar se nuk mund të japë përgjigje të tjera pa kërkesë zyrtare.

Megjithëse procedimi është pezulluar, qytetari Hani kërkon që rasti të rihapet dhe të gjenden përgjegjësit për zhdukjen e shumës që, sipas tij, ishte ruajtur nga vetë organi i akuzës.

“Unë i besova shtetit, por paratë më humbën në duart e prokurorisë. Dua vetëm të di kush i mori,” thotë ai.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta