Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së enjtes veprimet e policisë dhe të mjekësisë ligjore në Devoll dhe Korçë, ku një familje është dhunuar dhe asnjë nga autorët s’është ndaluar, por hetohen në gjendje të lirë.

Grupi i emisionit investigativ udhëtoi në fshatin Ponçarë të Devollit, me kërkesë të familjes Jazexhi. Kryefamiljari, Luka Jazexhi, bashkëshortja e tij Filloreta dhe djali Beari janë përfshirë në një konflikt me komshinjtë në datën 3 tetor 2025.

Ata tregojnë ngjarjen, ku komshiu i tyre Arnoldi dhe babai i tyre Pëllumbi i kanë rrahur dhe u kanë shkaktuar dëmtime të mëdha në trup. Luka është gjakosur, ndërkohë që Filloreta dhe Beari kanë pasur dëmtime të mëdha në trup. Zënka erdhi pasi familja kishte lënë një karrocë me misër në rrugën para shtëpisë dhe Arnoldi kaloi me makinë.

“Kishte rrugë për të kaluar. Ai kaloi, po donte të bënte sherr. I ra portës me shkelma dhe gurë. Doli djali dhe filloi të zihej me të. Doli edhe Luka. Arnoldi dhe babai i tij Pëllumbi filluan ta qëllojnë me grushte dhe shkelma. E shembën përtokë dhe vazhdonin ta qëllonin. Më pas ndërhymë ne, por edhe ne na qëlluan kemi shenja në gjithë trupin” tregojnë pjesëtarët e familjes.

Luka tregon se kur e qëlluan mendoi se “kaq e pata, mu errësuan sytë dhe jam edhe me diabet, ngela i shtrirë”. Ata hedhin dyshime se veprimet e policisë dhe të mjekësisë ligjore kanë qenë për të fshehur ngjarjen. “Lajmëruam policinë dhe na shoqëruan ne në komisariat. Ai erdhi si zotëri me makinën e vetë. As e arrestuan dhe as e ndaluan”
tregojnë ata.

“Në polici s’bënë asnjë veprim megjithëse ne ishim të dëmtuar, të gjakosur dhe të sakatuar. Luka ka shkuar në spital po i kanë bërë disa qetësues. Ai është me diabet dhe rrezikoi shumë” thotë Filloreta.

Policia e Devollit i ka dhënë familjarëve një dokument për të kryer ekspertimin mjeko-ligjor në Korçë, te doktori Gjergji Kacuni. “Policia na tha se është edhe ditën e shtunë. Shkuam dhe s’e gjetëm. Shkuam edhe ditën e hënë dhe s’e gjetëm. Na kanë sorollatur. Mendojmë se po tentojnë që ta fshehin se as mjeku s’del dhe as policia s’vepron. Ai
bredh i lirë” pohojnë ata.

Pas ankesës, Filloreta dhe djali i saj, Beari, interesohen në Komisariatin e Policisë në Devoll, ku takojnë një punonjës. Ai i thotë se veprimet i ka bërë një oficer tjetër. E pyesin se përse nuk ka ndonjë masë ndaj autorit, apo autorit tjetër, dhe i thonë se duhet të pyesin oficerin se ai ka bërë veprime. Ndërkohë, familja kërkoi edhe një numër telefoni të mjekut ligjor, por asnjë nga punonjësit e Komisariatit të Policisë në Devoll nuk e ka.

Gruaja dhe djali shkojnë në Mjekësinë Ligjore në Korçë dhe tentojnë të takojnë mjekun Gjergji Kacuni. Takojnë një infermier dhe ai u thotë se doktori s’është aktualisht në punë. “Nuk është sot, është në Tiranë dhe s’do të vij disa ditë” i thotë infermieri. Familja i bën me dije se kanë ardhur edhe herë të tjera dhe s’e kanë gjetur.

Punonjësi i thotë se “hajdeni ditën e hënë”. Ditën kur shkuan te Mjekësia Ligjore dhe bënë këtë bisedë, kishin kaluar 5 ditë nga ngjarja. Ndërkohë, ditën e hënë kur u la për të kryer ekspertimin mjeko-ligjor, nga ngjarja do të kalojnë plot 10 ditë.

Pas kësaj sorollatje, grupi i Fiks Fare interesohet te Policia e Devollit dhe kërkojnë oficerin që është marrë me këtë çështje. Një punonjës thotë se ai s’është aktualisht, por do të vij shefi i Komisariatit.

Pas disa minutash vjen shefi dhe grupi i Fiks Fare i kërkon informacione për ngjarjen e datës 3 tetor. Shefi i thotë se “s’di gjë, s’kam informacion”. Fiksi i tregon edhe fotot e familjarëve me dëmtime dhe të gjakosur, ndërkohë që shefi i komisariatit u thotë se me këtë çështje është marrë një oficer. “Në dijeninë time s’ka ndonjë të arrestuar. Për të qenë
i sinqertë, s’kam asnjë informacion” vijon shefi.

Ai më pas largohet dhe gazetarët i thonë se si ka mundësi që shef “s’di gjë”. Përgjigjet se ndoshta duhet të ketë dhënë urdhër prokurori për lirimin. Fiksi kërkon që të flasë me oficerin që është marrë me këtë çështje, ku lënë edhe një numër telefoni, por asnjë s’përgjigjet.

***

Filloreta dhe Bear Jazxhi interesohen te Komisariati i Policisë Devoll

Qytetarja – Një numër telefoni të mjekut ligjor? Vajtëm 2-3 herë dhe s’e takojmë dot!
Polici – Nuk e dimë se kush është mjeku ligjor. Unë nuk e di kush është, ata janë
ndërruar. Po mjekun ligjor numrin e ka Spitali i Korçës.
Qytetarja – Nuk është, vajta 2-3 herë.
Polici – Ose spitali këtu, ata kanë numër spitali.
Qytetarja – Spitali nuk e ka! Edhe ata në Korçë më thanë se ne nuk kemi lidhje fare me …
Polici – S’ka lidhje mjeku ligjor me Spitalin e Korçës?
Qytetarja – Po. S’kemi lidhje fare dhe ndaj u drejtova këtu.
Polici – Ne nuk kemi …
Qytetarja – Po ndoshta mos e ka Oficeri i Policisë këtu?
Polici – Cili oficer? Po ja unë s’mund të të ndihmoj, s’e kam.
Qytetarja –Ishte Luli këtu.
Polici – Cili Lul?
Qytetarja – Lulëzim Preçi.
Polici – Preçi, po Luli ishte këtu po numër … s’ka numër! S’ka ç’e do Luli. Luli të pajis
ty dhe shkon ai që e dërgon. Nuk e kanë, Spitali i Korçës, në Morg më thonë.
Qytetarja – Si?
Polici – Nuk e kanë, Lulin (pyeta).
Qytetarja – Ne kemi shkuar atje 2-3 herë. Nuk mundem dot se unë e kam burrin të
sëmurë, unë s’mund ta çoj dot në spital.
Polici – Çfarë të them unë!
Qytetarja – Nuk e takojmë dot, 2-3 ditë me radhë.
Polici – Si të bëj unë, di unë ç’të të them, s’kam numër?!
Qytetarja – As Luli, fole me Lulin e more në telefon?
Polici – Cili …
Qytetarja – Po ai oficeri i gatshëm?
Polici – I thashë dhe s’kam numër më tha. Po ta them shqip, e do me shkrim të ta jap?!
Qytetarja – Mirë faleminderit.
Polici – Asgjë, mirupafshim.

***

Familja interesohet te Mjekësia Ligjore pranë Spitalit Rajonal në Korçë

Infermieri – Si jeni?
Qytetarja – Si kalove! Doktorin?
Infermieri – S’është, është në Tiranë sot dhe nesër.
Qytetarja – Unë e kam burrin në gjendje të rëndë, unë s’munda ta sjell dhe sot.
Infermieri – E di, shko në Tiranë ça të them. Hë?
Qytetarja – Me ça ta çoj në Tiranë?
Infermieri – Unë ça të them, unë s’kam gjë në dorë. Pardje erdhe.
Qytetarja – Të hënën, po. Po e kam të sëmurë, s’lëvizja dot. 3 ditë me radhë e solla.
Infermieri – Ça të them unë.
Qytetarja – E solla të shtunën, të hënën, të dielën.
Infermieri – Të shtunë dhe të diel jemi pushim zonjë. Të shtunë, të diel jemi pushim. Sot,
nesër dhe pasnesër është në Tiranë doktori.
Qytetarja – Po mirë, mund të më japësh ndonjë numër telefoni të flas kur mund t’a gjej
mos të vij kot?
Infermieri – Ditën e hënë do të vish, hajde ditën e hënë. Të hënën në mëngjes të jesh
këtu.
Qytetarja – Se atë ditë që kam ardhur me burrin këtu, mua më mbëti dy herë rrugës. Unë
çfarë t’i bëj?
Infermieri – Shpjerë atëherë në Spitalin Bilisht edhe të hapin një kartelë që të thonë i ke
të shënuara të tëra në kartelë.
Qytetarja – Po burrin, unë burrin s’e sjell dot, burrin është copë – copë, e kanë rrahur
shumë! Prandaj doja numrin e telefonit t’ia tregoja fotot.
Infermieri – Po jo pra, s’të bën punë fotoja. Duhet të vish këtu. S’ta jap dot numrin, s’ta
hap telefonin doktori. S’është … e ka numër pune, s’e ka …
Qytetarja – Numër pune, po ne për punë po vijmë.
Infermieri – E ka marrë Oficeri i Policisë në telefon. Shko në Bilisht atëherë.
Qytetarja – Po unë vajta te Oficeri i Policisë në Bilisht.
Infermieri – Po në rregull pra.
Qytetarja – Atij oficeri që ishte i gatshëm i thashë ma jep numrin e mjekut ligjor. Unë nuk
e kam më tha.
Infermieri – Unë të thashë, do të vish ditën e hënë, në 9, 9 e gjysmë të jesh këtu në
mëngjes. Se (doktori) ka Korçën, ka Bilishtin, Pogradecin e Ersekën.
Qytetarja – Unë burrin e kam me para infarkt, është me diabet, është me veshka të
prishura. Është rrahur. Ka 8-9 sëmundje, unë s’e sjell dot se unë jam …
Infermieri – Ça të bëj, unë jam infermier vetëm për të vdekurit. Nuk di ça të them më
shumë. Mua kështu më tha doktori, po erdhi rasti të vijë ditën e hënë në mëngjes. Unë
s’të ndihmoj dot.
Qytetarja – Po ti më the ditën e hënë që është në gjykatë.
Infermieri – Po është në gjykatë.
Qytetarja – Po ai në gjykatë nuk ishte!
Infermieri – Po në gjykatë ishte doktori.
Qytetarja – Dhe polici më tha që s’më shpëton dot miza dhe jo më ai.
Infermieri – Tani nuk e di unë, ai në gjykatë ishte atje.
Qytetarja – Nuk e kam parë!
Infermieri – Nuk e di ça të ka thënë polici.
Qytetarja – Polici më tha s’e kam parë fare këtu. Se po të ishte këtu, unë s’kam pse ta fsheh.

FOTO GALERI
3/4

Top Channel