Këto pamje vijnë nga Thethi, atje ku është dashur që fadromat e IKMT-së, që do të prishin ndërtimet pa leje në zonë, të mbrohen nga policë të armatosur.

Mësohet se në nisje të aksionit, disa persona kanë hedhur bomba molotov në urën ku do të kalonin mjetet, por edhe drejt vetë mjeteve.

Personat e paidentifikuar tentuan të digjnin edhe urën ku do të kalonin punonjësit e IKMT-së me mjetet e tyre, por edhe policinë. Mësohet se ndaj tyre janë hedhur disa bomba molotov. Kjo ka qenë arsyeja e debatit të fortë mes banorëve dhe drejtuesve të operacionit për prishjen e ndërtimeve.

Në zonë kanë shkuar forca të shumta të policisë, ndërsa janë mbledhur edhe prova dhe ka nisur hetimi për identifikimin dhe kapjen e personave që tentuan të djegin mjetet e IKMT-së.

Drejtuesit e aksionit të prishjes së ndërtimeve pa leje kanë kërkuar që pronarët të nisin të çmontojnë dhe të largojnë vetë të gjitha pajisjet e vendosura, përpara se mjetet të vijojnë punën.

Më herët, disa ndërtime pa leje janë shkatërruar në Theth, ndërsa një ndërtim me leje është djegur.
Restoranti që u shkrumbua ishte i njërit prej banorëve të Thethit, i cili më parë kishte ngritur shqetësimin për shkatërrimin e zonës.

Top Channel