Fiks Fare/ Rruga ‘Goce’ në Krujë prej vitesh e rrënuar, zaptohet dhe me gardh. Banorët: S’kalojmë dot në këmbë, jo më ambulanca

11/07/2025 20:46

Banorët e lagjes Nr. 1, në rrugën “Goce” të qytetit të Krujës, denoncojnë një problem të rëndë që u ka vështirësuar jetën prej vitesh.

Rruga e tyre prej vitesh nuk ka parë investim me ‘sy’ , por kësaj i shtohet edhe problematika tjetër. Një nga komshinjtë ka zgjeruar gardhin e tij privat, duke bllokuar praktikisht rrugën që kalonte pranë shtëpive të tyre. Nga një rrugë që lidhte komunitetin me institucionet publike si spitali, kopshti e çerdhja, sot ka mbetur vetëm një “gisht” hapësirë , e pamjaftueshme edhe për të kaluar në këmbë.

Banorët thonë se situata është bërë e pashpresë, jo vetëm për lëvizjen e përditshme, por sidomos për raste emergjente. Ambulanca nuk mund të futet, zjarrfikësja as që bëhet fjalë, madje as për të përcjellë një të afërm për në banesën e fundit nuk ekziston më rrugë.

Një grua e moshuar rrëfen mes lotësh se shpesh është detyruar të zvarritet për të zbritur në rrugën kryesore, për të kryer vizitat në spital. Tregon se, kur i është dashur të bëjë një ekografi, ka zbritur këmba-dorazi, duke rrezikuar jetën. Kujton me dhimbje edhe rastin e bashkëshortit të saj, i cili ndërroi jetë tre vite më parë – arkivoli i tij u tërhoq zvarrë nga banorët, pasi automjeti i funeralit nuk mund të afrohej dot pranë banesës.

Ajo thotë se i është drejtuar Bashkisë së Krujës mbi 10 herë, por përgjigjja ka qenë gjithmonë e njëjtë “Do e shohim…”.  Në këto kushte ajo kërkoi ndihmën e emisionit  Fiks Fare, me shpresën se problemi do të marrë vëmendjen që meriton.

Gazetarët e Fiksit vëzhguan situatën në terren  ku vërtetuan me pamje se lëvizja në këtë rrugë ishte pothuajse e bllokuar. E moshuara tërhiqej  zvarrë për të zbritur e kaluar në këtë rrugë, duke rrezikuar.  Fiksi iu drejtua Bashkisë Krujë  ku një përfaqesues i saj pranoi se problemi ekziston prej vitesh. Ai shtoi se është miratuar edhe një fond për investimin në këtë rrugë, por asnjë firmë ndërtimi nuk ka pranuar ta marrë përsipër projektin. Arsyeja e mospranimit , “nuk ka leverdi ekonomike”. Ai tha se bashkia u ka propozuar banorëve ta marrin përsipër shtrimin e rrugës me forca vullnetare, ku bashkia do të sigurojë materialet e ndërtimit. Por banorët e kanë refuzuar këtë zgjidhje, pasi mendojnë se nuk është detyra e tyre të bëjnë punët që i takojnë shtetit.

I pyetur se kush është alternativa tjetër që këta banorë të kenë rrugë, punonjësi i bashkisë pohoi se  të gjendet fondi edhe për nja dy a tri rrugë të tjera në qytet që t’i marrë një firmë e vetme. Dhe kjo sipas tij mund të kërkojë pak kohë deri nga viti 2026. Ndërkohë që për zaptimin e rrugës ai shtoi se është i paligjshëm, por që nuk kanë mjete për ta zhbllokuar.

FOTO GALERI
3/7

Top Channel