Ekskluzive në Fiks Fare/ Klevi Metaj rrëfen me pranga nga shtrati i spitalit përballjen me 6 policët: Më qëlluan vazhdimisht të parët
Fiks Fare bëri një vëzhgim në 3 godina në Qytetin Studenti, ku pamjet nga dhomat janë vërtetë skandaloze.
Dyshekë me njolla dhe të pistë. Krevate të shkatërrua. Komodina dhe dollapë të prishur. Lavamanë të shkatërruar që nuk mbyllen. Madje, me pajisje që nga koha e Enverit. Pllaka të prishura që lëvizin. Mure me lagështirë. Dyshe dhe tualete të përbashkëta.
Për më tepër, punonjëset e këtyre konvikteve sillen në mënyrë arrogante me studentët, duke u thënë se “janë mësuar si princesha”. Punonjëset i trajtojnë godinat si pronë të tyre. Fiksi shkon për të pyetur për gjendjen, nuk lejohen me kamer të madhe dhe Drejtoria e Qytetit Studenti thotë se do ti rregullojnë.

Në redaksinë e emisionit Fiks Fare mbërritën denoncime me foto nga gjendja e dhomave në Qytetin Studenti. Denoncimet erdhën në momentin që studentët kanë dalë në protestë, ku kërkojnë kushte më të mirë mësimdhënie. Konvikte dinjitoze. Punë dhe lehtësira për të blerë banesë, për të krijuar më pas familje.
Fiks Fare bëri një vëzhgim se ku qëndrojnë studentët. Si trajtohen në konvikte dhe a ka kushte? Pamjet që kamera e emisionit investigativ filmoi nuk janë nga vendet e treta të botës. Janë në mes të Tiranës 2026. Në kryeqytetin e Shqipërisë, një vend aspirant për në Bashkimin Europian.
Fillimisht, grupi i Fiks Fare shkoi në konviktin me numër 28-29. Pamjet e dhomës ishin vërtetë horror. Dyshekë me njolla, shumë të vjetër dhe të ndotur. Komodina të shkatërruara, tavolinë dhe karrige shumë e vjetër. E gjithë godina ishte e pa restauruar. Dushet dhe tualetet të përbashkëta.
“Dushet janë në kat të parë, të përbashkëta edhe ato, siç janë tualetet”, thotë një punonjëse, ku tregon kushtet shumë të këqija, ndërkohë që Fiksi bisedoi edhe me administratoren.

“Këto janë se kjo është një ndër godinat që do rikonstruktohet. Por në realitet, si janë godinat e tjera, është pak më e mbajtur”, thotë ajo. Më tej e orienton bashkëpunëtoren e Fiksit që t’a rregullojë vetë dhomën. “Të vëri një perde të bukur, t’i shtrojë një rrugicë. Krevatit do t’i shtrojë mbulesat e veta”, thotë njëra prej tyre.

Ndërkohë, një tjetër administratore thotë se vajzat e sotme, studentet që shkojnë në konvikt, janë të llastuara. “Në shtëpi janë princesha ato, i bën mami gjërat. Prandaj po thoshte një zonjë një ditë, unë dua shumë që ta lë në këtë realitet”, vijon ajo.
Vetëm kjo godine ishte në këtë gjendje? Po në konviktet e tjera, në çfarë kushte qëndrojnë studentët?! Fiksi shkoi dhe te godina 24 dhe 25 në Qytetin Studenti. Një studente tregoi se kanë ardhur dhe disa studente të tjera dhe kanë ikur në godina të tjera. “S’ju ka pëlqyer vendi, ambienti këtu, kjo ngaqë është edhe godinë e vjetër”, thotë ajo, ndërsa më pas tregon edhe dhomën.
“Është shumë e vjetër. Është shumë e vjetër për Zotin. Si studente në vitin e parë që je, s’ta sugjeroj më! Rrobat i lajmë te lavanderia (private). 250 lekë një lavatriçe. Kam blerë detergjentet që duhet ti blesh vetë. Dushi është në kat të parë (të përbashkëta). Banjat i kemi në fund të korridorit këtu (të përbashkëta)”, thotë ajo.
Pra, kushte tepër minimale! Fiksi filmon edhe në pjesën tjetër të godinës. Lagështirë kudo, kë korridor, në tualete. Në pjesën e dusheve. Bashkëpunëtorët e Fiksit shohin disa dhoma në këtë godinë, teksa krevatet janë me sustë dhe disa të lëna në korridore. “Pak a shumë të gjitha kështu janë, ky është version”, thotë një punonjëse.

Një version skandaloz! Punonjëset i orientojnë që kompletimin t’a bëjnë vetë studentët.
“Të shikosh ça s’kanë sjellë, ça nuk sjellin nga shtëpia. Edhe fshesë me korrent kanë sjellë. Tualetet janë në fund të korridorit. Kushte janë të vjetra. Edhe ngrohësen duhet t’a sjellësh vetë. Kjo këtu (kaldaja) ka qenë që në kohën e Enverit. Është bërë shumë vite më përpara me kaldajë. Po kaldaja dhe ato ngelën”, pohon punonjësja. Epo të mendosh që, në gjithë këto 36 vite, s’është vënë ende dorë në këto konvikte!
Në një dhomë tjetër gjendja ishte më skandaloze. Edhe pllakat e dyshemesë lëviznin. Në hyrje të një dhome tjetër, kapaku i kutisë së automateve të energjisë nuk mbyllej dhe telat e korrentit ishin të hapura.
Po godina 26 dhe 27, a është më mirë?!
Fiksi shkoi edhe në këtë godinë. “Janë gjëra të vjetra, këto janë kushtet. Dushe të përbashkëta. Dhoma është e mbyllur. Pak a shumë njëlloj janë (më godinat e tjera)”, thotë ajo.
Pas kësaj situate, gazetarët e Fiks Fare shkojnë për të pyetur administratoret e godinës 28 dhe 29, të cilat i thanë bashkëpunëtores se “studentet janë trajtuar si princesha në shtëpi”. Fiksi i pyet nëse është bërë ndonjë ndërhyrje dhe ato përgjigjen se atë e di administratori i madh i përgjithshëm. Fiksi i thotë se nga vëzhgimi, situata ishte e keqe.
Në këtë moment ndërhyn një punonjëse tjetër, teksa Fiksi e pyet se mungon investimi apo nga keqmenaxhimi. Ajo thotë se s’është etike të pyesim… E pyesim se sa dhoma janë bosh, na thotë s’është e autorizuar të flasë. Na thotë se ka 18 vite në punë, teksa i bëjmë me dije se ndaj është kjo situatë.
Më pas, punonjësja flet në telefon me drejtorin e Qytetit Studenti, Olsi Shahini, teksa Fiksi i thotë se të vijë të na flasë, të na tregojë gjendjen. Na tha se do të vijë dikush t’na përgjigjet. Më pas thotë se QS është në fazën e restaurimit.
Fiksi e pyet se sa dhoma janë bosh, sërish na thotë se s’është e autorizuar. Më pas na thotë se “unë jam më shumë se ty këtu në këtë institucion”. Fiksi i përgjigjet se “ndoshta ky qëndrim i gjatë ka sjellë këtë gjendje”. Ajo thotë se grupi i Fiksit s’është matësi i punës së saj. I përgjigjemi se ndoshta dhe kjo arroganca ka sjellë protestat.
Më pas vjen një punonjëse nga drejtoria e Qytetit Studenti.
“Kjo është një nga godinat që ne presim planin, domethënë jemi në tratativa. Javën e kaluar kanë ardhur ata të projektit që i kanë parë godinat dhe ne presim nga Ministria e Infrastrukturës që të kalojë”, thotë ajo, duke u justifikuar se prandaj këto kanë ngelur kështu, s’janë si godinat e tjera.
Në fund, Fiksi e pyet sërish administratoren se përse u kanë thënë studentëve që trajtohen si princesha dhe ti kompletojnë vetë. Ikin dhe nuk përgjigjen …
Top Channel