Shteti aksioner në projektin e Sazanit! Investimet mbi 1 miliard dollarë i Jared Kushner, krijohet kompania shqiptare që do të jetë partnere

27/06/2025 19:47

Shqipëria do të jetë aksionere nëpërmjet Korporatës së Investimeve Shqiptare në resortin turistik që do të ndërtohet në Sazan nga investitori Jared Kushner.

Qeveria shqiptare ka krijuar kompaninë shtetërore, e cila do të përfaqësojë shtetin për ortakërinë në këtë resort. Kompania që do të përfaqësojë shtetin në këtë projekt është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit me emrin “Albanian State Development & Real Estate”, pak ditë pasi Jared Kushner dhe Ivanka Trump vizituan Vlorën.

Objekti i kësaj shoqërie do të jetë pjesëmarrja, si përfaqësues i shtetit, në partneritete apo investime strategjike, lidhur me projektin e investimit “Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit” apo çdo projekt tjetër të autorizuar nga Korporata e Investimeve.

“Ngarkohet drejtori ekzekutiv i Korporatës së Investimeve Shqiptare, në cilësinë e përfaqësuesit ligjor, të nënshkruajë aktin e themelimit dhe statutin e shoqërisë ‘Albanian State Development and Real Estate’, dhe të informojë aksionerin e vetëm për marrjen e këtij vendimi.”

Kapitali i shoqërisë është 50 milionë lekë, të zotëruara 100% nga Korporata e Investimeve Shqiptare. Administrator i kësaj kompanie do të jetë Julian Adili, që aktualisht mban pozicionin e Drejtorit të Divizionit Ligjor dhe të Pajtueshmërisë pranë Korporatës Shqiptare të Investimeve. Shoqëria do të ketë nën përgjegjësi edhe monitorimin e kontratave që do të lidhen për projektin e Sazanit.

“Të sigurojë menaxhimin, zhvillimin dhe administrimin e përgjegjshëm të pasurive të paluajtshme në pronësi, përdorim apo përgjegjësi administrimi të kompanisë, duke maksimizuar vlerën e tyre dhe duke garantuar përdorim optimal; pjesëmarrja si përfaqësues i shtetit në partneritete apo investime strategjike, si dhe në çdo rast të përcaktuar me vendim të organeve të shoqërisë, lidhur me projektin e investimit ‘Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit’ apo çdo projekt tjetër të autorizuar të AIC.”

Dhëndri i Donald Trump, biznesmeni Jared Kushner, e mori statusin e Investitorit Strategjik vitin e shkuar, në një vendim që mban datën 30 dhjetor 2024. Sipas vendimit, investimi në ishull nga kompania e lidhur me dhëndrin e Donald Trump kap vlerën e 1.4 miliardë eurosh.

Top Channel