
Tensionet në Gadishullin Korean kanë arritur nivele të reja këtë javë, pasi lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, mbikëqyri testime të sistemeve raketore me rreze të shkurtër veprimi që simuluan kundërsulme bërthamore ndaj forcave të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, njoftuan të premten mediat shtetërore të vendit.
Lajmi u publikua një ditë pasi ushtria e Koresë së Jugut raportoi disa lëshime raketash nga bregu lindor i Koresë së Veriut, duke ngritur dyshime se testet mund të lidhen me eksportin e armëve të Phenianit drejt Rusisë, në mbështetje të luftës së saj në Ukrainë.
Sipas agjencisë shtetërore KCNA, testet e së enjtes përfshinë një sistem raketash balistike mobile, i ngjashëm me modelin rus Iskander, si dhe raketahedhës të shumëfishtë 600 mm, të cilat Seuli i klasifikon si armë balistike për shkak të vetështytjes dhe fluturimit të drejtuar.
Këto armë, të cilat Koreja e Veriut pretendon se mund të pajisen me armë bërthamore taktike, janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të rritur kapacitetin e saj luftarak në terren, shkruan WP.
Qëllimi i stërvitjes, sipas Phenianit, ishte përmirësimi i efikasitetit të njësive të raketave nën kontrollin bërthamor dhe forcimi i reagimit të shpejtë ndaj një krize të mundshme.
Kim, gjithashtu, theksoi nevojën për të forcuar rolin e forcave bërthamore si në parandalimin, ashtu edhe në luftimin aktiv, duke kërkuar rritje të gatishmërisë luftarake dhe saktësisë së goditjeve.
Pheniani vazhdoi të kritikojë ashpër SHBA-në dhe aleatët e saj për ushtrimet e përbashkëta ushtarake, të cilat i cilëson si përgatitje për luftë bërthamore. Kim Jong Un përdori këtë kontekst për të demonstruar, sipas KCNA, “qëndrimin e shpejtë të kundërveprimit” të ushtrisë së tij.
Nga ana tjetër, Koreja e Jugut e përshkroi veprimin si një provokim të qartë që shkel rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe përbën kërcënim serioz për paqen në rajon.
Zëdhënësja e Ministrisë së Unifikimit, Kim Inae, theksoi se veprimet e fundit përshkallëzojnë më tej situatën e brishtë në rajon.
Sipas ushtrisë jugkoreane, raketat u lëshuan nga zona përreth qytetit portual lindor të Wonsan, ndërmjet orës 08:10 dhe 09:20 të mëngjesit.
Njëra prej raketave fluturoi rreth 800 kilometra, duke demonstruar kapacitet të konsiderueshëm veprimi.
Ndërkohë, Ministri japonez i Mbrojtjes, Gen Nakatani, konfirmoi se asnjë raketë nuk hyri në zonën ekskluzive ekonomike të Japonisë dhe nuk pati dëme në territor apo mjete civile.
Ky ishte aktiviteti i parë balistik i Koresë së Veriut që nga 10 marsi, dhe lëshimi i gjashtë për këtë vit, në një kontekst ku Pheniani po zgjerohet gjithashtu në fushën e bashkëpunimit ushtarak me Rusinë.
Vetëm një ditë para testeve, Kim kishte vizituar Ambasadën Ruse në Phenian, duke përkujtuar 80-vjetorin e fitores sovjetike mbi Gjermaninë naziste dhe duke vlerësuar “marrëdhëniet strategjike afatgjata” mes dy vendeve.
Top Channel