
Pas një muaji fushatë, strategu amerikan i kontraktuar nga Partia Demokratike, Chris LaCivita ka mbajtur edhe fjalimin e fundit para turmës së demokratëve në Bulevardin e ri.
Por në ndryshim nga fjalimet e mëparshme, në fjalën e përgatitur dhe që e lexoi nga foltorja blu, Chris LaCivita nuk e përmendi më togfjalëshin e huazuar nga Donald Trump, “Ta bëjmë Shqipërinë të Madhe Sërish”.
Ai tha se shqiptarët sot ndodhen në udhëkryq.
“Gjithnjë habitem se sa e madhe është gjithë kjo turmë, faleminderit Shqipëri, faleminderit për mbështetjen tënde, ndan të ardhmen dhe shpresat e tua, Shqipëria sikurse e dëgjuam ndodhet në një udhëkryq, jo vetëm për ëndrrat tuaja dhe të familjeve, por edhe për pozicionin e këtij vendi në arenën ndërkombëtare. Shqipëria nuk mund të lejojë edhe një mandat tjetër të Edi Ramës, korrupsioni, gjendja e vështirë ekonomike”, tha LaCivita.
I ardhur në Tiranë në fillim të fushatës zgjedhore të demokratëve, as ai, por as selia blu nuk e tregoi në asnjë moment shumën financiare për të cilën kanë rënë dakord. Vetë Berisha ka deklaruar se gjithçka do të depozitohet në KQZ në përputhje me ligjin zgjedhor.
Top Channel