
Një zyrtar i lartë i Hamasit deklaroi të martën për agjencinë AFP se grupi nuk është më i interesuar për bisedime armëpushimi me Izraelin, pas njoftimit të kryeministrit Benjamin Netanyahu për një ofensivë të re “të intensifikuar” në Gaza.
Plani i Izraelit përfshin trupat izraelite që mbajnë territorin e pushtuar dhe zhvendosjen e konsiderueshme të popullsisë.
“Nuk ka kuptim të angazhohemi në bisedime ose të shqyrtojmë propozime të reja për armëpushim për sa kohë që lufta e urisë dhe lufta shfarosëse vazhdojnë në Rripin e Gazës,” tha Basem Naim, një nga liderët e Hamasit, duke shtuar se grupi kërkon që bashkësia ndërkombëtare të “ushtrojë presion mbi qeverinë e Netanyahut për t’i dhënë fund krimeve të urisë, etjes dhe vrasjeve” në Gaza.
Komentet e tij erdhën një ditë pas njoftimit nga ushtria izraelite se operacionet e zgjeruara në Gaza do të përfshijnë zhvendosjen e “shumicës” së banorëve të saj. Kjo ndërkohë që Izraeli po vazhdon sulmet në territore të tjera si Jemen dhe Liban.
Pas shkatërrimit të një armëpushimi të brishtë në mars, Izraeli rifilloi bombardimet në Gaza, dhe më shumë se 70% e territorit është nën kontrollin izraelit, duke përfshirë urdhra që detyrojnë civilët palestinezë të evakuohen nga lagje të caktuara.
Hamas mban ende dhjetëra pengje izraelite, të cilët u kapën gjatë sulmit të papritur të Hamasit më 7 tetor 2023. Shumë nga pengjet mendohet se janë të vdekur.
Top Channel