
Një konflikt për çështje pronësie mes dy fqinjëve në fshatin Gizavesht, Librazhd, ka përfunduar me të shtëna në ajër dhe me ndalimin e një 42-vjeçari.
Ngjarja u raportua si një përshkallëzim i menjëhershëm verbal mes dy banorëve, që çoi në përdorimin e një arme gjahu.
Sipas burimeve zyrtare, shtetasi S. Xh., 42 vjeç, ka qëlluar me armë gjahu në ajër, gjatë një debati me fqinjën e tij, H. Xh., 80 vjeç, me qëllim kanosjen e tij. Fatmirësisht, nga të shtënat nuk ka pasur persona të lënduar.
Pas ndërhyrjes së shpejtë në vendngjarje, autori u kap në flagrancë dhe u arrestua. Gjatë kontrollit, autoritetet sekuestruan armën e gjahut të përdorur dhe një sasi municioni luftarak, të cilat rezultuan të paautorizuara.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme ligjore.
Top Channel