
Autoritetet europiane janë në alarm: “Kontinenti europian po përmbytet nga kokaina”.
Ky vërshim i lëndës narkotike shpjegohet me ngopjen e tregut në Amerikën e Veriut dhe me një fokus të shtuar të trafikantëve drejt Evropës.
Rrjetet kriminale nga Amerika e Jugut, të pajisura me burime të mëdha financiare, po përdorin rrugë alternative për trafikimin e drogës, duke përfshirë itinerare përmes Afrikës.
Në të njëjtën kohë, ka një rënie të furnizimit me heroinë nga Afganistani, për shkak të ndalimeve të vendosura nga talebanët ndaj kultivimit të opiumit.
Kjo ka çuar në një mungesë të heroinës në treg dhe në një rritje të përdorimit të substancave sintetike, të cilat shpesh janë më të rrezikshme për përdoruesit, siç pohon Holger Münch, kreu i Zyrës Federale gjermane të Kriminalistikës (BKA).
Rritja e sasisë së kokainës në treg ka ndikuar edhe çmimin e saj: Ndërsa më parë një gram kokainë e pastër mund të kushtonte deri në 90 euro, tani çmimet janë më të paqarta, pasi trafikantët ofrojnë zbritje dhe madje edhe shpërndarje në shtëpi për të tërhequr klientët.
Policia gjermane njoftoi se ka regjistruar një rritje të veprave penale të lidhura me narkotikët, me një rritje prej rreth pesë për qind për kokainën krahasuar me vitin e kaluar, dhe një rritje edhe më të madhe për drogat sintetike, të cilat shpesh prodhohen në laboratorë ilegalë brenda Europës.
Top Channel