
Edi Rama u shpreh sot se rasti e solli që ai për herë të parë të kandidonte si deputet për Tiranën, duke e cilësuar këtë si një mision të ri.
“Rasti e solli që të jem deputet i Tiranës, nuk kam qenë asnjëherë jam këtë herë dhe për shkak të kësaj detyre… Po thosha se duket qenë se kjo e deputetit të Tiranës është mision i ri për mua dhe për shkak të ndjekjes së fushatës kam shkuar në shumë pjesë të Tiranës që nuk i kam parë, dhe kam parë ndryshime të jashtëzakonshme, është diçka krejt tjetër nga si ka qenë… E di shumë mirë që është një sfidë e madhe të jesh deputet i Tiranës, edhe të përpiqesh që të çosh para punët e Tiranës. Ne jemi për sfidat e mëdha, jo për lojën me porta të vogla”, tha ai.
Kreu i PS duke folur në njësinë 6 në Tiranë, tha se Tirana është transformuar shumë, por ende ka punë për të bërë, ku veçoi disa nga problematikat, kryesisht me ‘zaptimin’ e vende publike për t’i shfrytëzuar për parking me pagesë.
“Duke qenë se atëherë kur ne e nxorëm Tiranën nga një kënetë e jashtëzakonshme, e paimagjinueshme, dhe filloi qyteti të zhvillohej, perceptimi im ka mbetur mbrapa në raport me shumë pjesë të qytetet që janë integruar plotësisht. Do habiteni po t’u them se më parë Astiri për shembull nuk ekzistonte.
Në këtë transformim të madh kam parë shumë gjëra që duhet t’i adresojmë. Në këto kushte sot, ky qytet ka potencial për tu bërë më i mirë për qytetarët e vetë.
Njëherë e një kohë Tiranë kishte një qendër dhe të gjithë vërtiteshin rreth saj, qyteti është bërë më i madh dhe jeta është ndarë në shumë pjesë, qyteti ka dhe qendra të tjera, ku ka komunitetet që jetojnë rreth asaj qendre.
Kam parasysh Kombinatin, Kasharin dhe zonën e Astirit që kanë krijuar një bazë të rëndësishme forcash pune, energjie, plot jetë dhe që kanë nevoja që nëse i adresojmë siç duhet, cilësia e jetës bëhet shumë herë më e mirë.
Ne do të angazhohemi shumë për këtë. Në shumë vende individë të caktuar vënë trarë, rrethojnë zonën, marrin bileta e dorë për parking dhe krijojnë situata jo të mirë. Ne do i pastrojmë këto të gjitha.
S’mund t’i marrin pa asnjë lloj autorizimi, leje. Ne kemi bërë shumë investime sidomos në Kombinat me investimin e shkollave që u prekën nga tërmeti. Tirana, Durrësi, Kamza, Kruja, Fushë Kruja edhe Lezha, kanë shkolla që janë jo evropiane, por shumë të mira evropiane”, tha ai, duke kërkuar mbështetje me votë në 11 maj për realizimin e ndryshimeve dhe çuarjen e Shqipërisë në BE.
Top Channel