
Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha e ftuar në Top Story, ka dhënë detaje në lidhje me incidentin e ndodhur një ditë më parë në Fier, me punonjësit e kompanisë së Shkëlqim dhe Agron Kapllanaj dhe punonjësve të BKH-së.
Hoxha u shpreh se në lidhje me ngjarjen, kanë nisur edhe verifikimet administrative, pasi rezulton se përpara sulmit ndaj BKH, targa e makinës me të cilën po kryenin shërbimin oficerët e BKH dhe të policisë së shtetit është kontrolluar në sistemin TIMS.
“Policia dhe prokuroria e Fierit po përpiqet të zbulojë cilët janë oficerët që kanë kërkuar të dhënat për atë targë makine dhe kush ua ka kërkuar dhe në çfarë frekuence kohe ka ndodhur. Sulmuesit kanë hyrë në lokal dhe teksa grupi i hetimit ishte larguar nga ambientet e firmës, ata kanë shkuar dhe i kanë sulmuar duke u kërkuar informacion se kush ishin ata”, ka deklaruar ndër të tjera gazetarja Anila Hoxha.
Më tej Hoxha ka sqaruar se nuk dihet se për çfarë shërbimi kanë qenë, por e sigurtë tha ajo është që kishin një javë që gjendeshin në qytetin e Fierit me vëzhgim dhe shërbim.
“Në Fier janë caktuar si prokurorë të posaçëm të task-forcës për zgjedhjet zoti Sotir Kllapi dhe zonja Doloreza Musabelliu. Dhe agjentët e BKH që u sulmuan nuk punojnë me këta dy prokurorë, pra nuk janë në ekipe hetimore me dy prokurorët e posaçëm”, u shpreh Hoxha.
Top Channel