“Unë nuk do bëja foto me Trump”/ Diskutimet në Top Story, Çakuli: Rama e teproi me fjalët në postim. Kapri: Është gjuha e një njeriu në hall
Ish-deputeti i PS, Petro Koçi, i ftuar në “Top Story”, ka komentuar çështjen e Vlorë Hysenit, kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, duke e cilësuar situatën si një ngjarje shumë të rëndë.
Koçi tha se, për sa i përket akuzave ndaj Hysenit, nëse ato provohen, ajo ka tradhtuar misionin e saj dhe besimin e dhënë nga kryeministri dhe presidenti.
“Se sa e ka cenuar sigurinë kombëtare është një çështje që duhet vlerësuar nga hetimet”, u shpreh Koçi, duke shtuar se, sipas akuzave, bëhet fjalë për nxjerrje sekretesh shtetërore dhe ndihmë ndaj një personi në kërkim, i akuzuar për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal.
Ai theksoi se, pavarësisht se përgjegjësia është individuale, në këtë rast ka edhe përgjegjësi morale dhe politike, pasi procesi i përzgjedhjes së drejtuesve të strukturave kryesore të shtetit është i rëndësishëm dhe duhet të shoqërohet me përgjegjësi.
“Kështu që është një ngjarje shumë e rëndë dhe, pavarësisht se thuhet shpesh që përgjegjësia duhet të jetë individuale, përgjegjësi morale dhe politike patjetër që ka, sepse procesi i emërimeve, pra i përzgjedhjes së personave që vijnë në drejtim të strukturave kryesore të shtetit, është një proces shumë i rëndësishëm dhe për të cilin duhet mbajtur përgjegjësi”, tha ai.
Koçi foli gjithashtu për marrëdhëniet Shqipëri-SHBA, duke i cilësuar ato në nivele shumë të mira. Sipas tij, çështja e Vlorë Hysenit nuk prek marrëdhëniet mes qeverisë shqiptare dhe administratës amerikane, por lidhet më shumë me zhvillimet e brendshme në Shqipëri.
Top Channel