
Nga Artur Zheji
Iluzioni i drejtësisë i mban peng popujt për shumë vite. Askush nuk do të donte sot në Shqipëri që edhe kësaj radhë të ngopesh me iluzionin e një drejtësie të rreme!
Sepse do të ishte një padrejtësi e dyfishtë për popullin tonë thelbësisht të vuajtur e mjeran në shekujt e muzgët të rrugëtimit të vet.
“Shqipëria s’bëhet kurrë!” është një ofshamë shekullore që del edhe sot në plot raste nga shpirti i përvëluar dhe i degdisur i shqiptarëve. Është një dorëzim me të cilën kemi bashkëjetuar përdhunëshëm për shumë kohë.
Tani e sapak vite jetojmë në periudhën e shpresës që mbiquhet SPAK dhe Gjykatë Speciale.
Si dukuri sociale është jo pak qesharake kjo shpresë, por shpresat dhe iluzionet janë ushqim i rëndësishëm shpirtëror i turmave dhe… duhen respektuar, s’ke çbën!
Në këtë fazë pra, shqiptarët kanë zgjedhur si kryefjalë të iluzioneve të tyre SPAK-un. Ç’po ndodh? A prodhon dot Drejtësia e Re, përtej iluzionit edhe një realitet të prekshëm afatgjatë në ecurinë e jetës së shqiptarëve?
Dje dhe sot që flasim, grupet kriminale, të krimit të organizuar me kobure në brez, kanë krijuar së bashku me organizatat kriminale të Kastave Politike, pasuri të pallogaritshme përmes bizneseve në Shqipëri dhe gjithmonë e më tepër jashtë saj.
E vërteta është se SPAK dhe specialët e gjykatës kanë kryer një numër impresionues arrestimesh dhe procedimesh të papërfytyrueshme vetëm capak kohë më parë.
Por nëse disa koka janë prerë dhe koka të tjera pritet të priten, se dosjet janë gati, organizatat kriminale me kobure apo me kollare, vazhdojnë të ecin para si truste biznesi dhe interesash duke zëvendësuar kokat e prera, me “koka” trashëgimtarësh të rinj.
Historia na mëson se krijimi i Dinastive Familjare, zë fill pas kryerjeve të grabitjeve seriale dhe ngurtësimit të tyre në biznese “legale”. Bizneset shëndrohen sakaq në themele të qëndrueshme pushteti të trashëgueshëm, ashtu si trashëgohet edhe paraja.
Brezi “A”, që krijohet nga “pionierët” e politikanëve grabitqarë apo “kaubojsat” me kallashnikov. Brezi “A” ja kalon legalisht trashëgimin brezit “B” duke çimentuar kastën e të pasurve “legalë” mbi paranë e vjedhur të shqiptarëve.
Kastat ose Dinastitë familjare janë ngritur tashmë në Shqipëri. Kush ka pak tru e di kush janë, kush ka sy i sheh dhe kush ka veshë ua dëgjon bëmat dhe gjëmat!
“Heronjtë e Zinj”, janë kokëkrisur dhe madje tërheqës. Ata janë prijës të lindur të turmave frikacake. Madje këta “Heronj të Zinj”, shumë shpesh janë “Heronj” të dashur e të votuar nga populli dele, edhe për kokëkrisjen e tyre, edhe për arrogancën e tyre, që rrezaton forcë, egërsi dhe hakmarrje të pamëshirshme!
Historia Njerëzore mëson se sa më i pazhvilluar është një popull, aq më shumë delet-popull, dashurojnë e eksitohen të kenë një dash prirës, pavarësisht ka apo ska moral, pavarësisht nëse ka vrarë dhe ka prerë, pavarësisht nëse ka vjedhur e grabitur kasollet e të gjithëve ne.
SPAK-u sot është në një përleshje krejt të pabarabartë kundrejt organizatave kriminale me kobure apo me kollare politike që kontrollojnë burime financiare dhe njerëzore të frikshme për nga përmasat dhe për nga egërsia vrasëse.
Habitshmërisht dhe mrekullisht SPAK dhe Gjykata speciale, çanë, thyen apo burgosën disa liderë të këtyre organizatave, duke patur aleat kryesor entuziazmin popullor, por edhe antidrogën dhe antiterrorin amerikan.
Por tash duket sikur “Drejtësia” ka ngecur në kurthin më të madh të kësaj Lufte, për fat pa vrasje dhe gjak në radhët e “Spakistëve”.
Sekuestrot e parave dhe pronave të vjedhura janë përgjithësisht të zbehta dhe në ngërç.
Trustet dhe Kastat e grabiqarëve kanë Ceo-t e tyre që zotërojnë një pjesë të madhe të tregut legal shqiptar, ndërtuar me kapitale të vjedhura dhe të grabitura, që vazhdojnë të fryhen duke paguar capak taksa.
Duke lënë në pushtetin ekonomik të viteve të ardhshme pinjollët biologjikë, në cilësinë e pronarëve të ligjjshëm të këtyre pasurive të paligjshme grabitur Shqipërisë.
Nëse Drejtësia e Re, e humb këtë çast thelbësor të drejtësibërjes dhe dështon, si edhe po duket, Lufta, përtej disa betejave të fituara është e humbur rëndë. Iluzioni i drejtësisë së kryer, pa një drejtësi të kryer rrënjësisht, duke i kthyer shtetit shqiptar një pjesë të madhe të djersës dhe gjakut të grabitur, do të mbetet një farsë.
Madje do ta kthejë korrupsionin në një sëmundje edhe më të rëndë, pa asnjë shans të zvogëlimit të tij, gjë që edhe po ndodh në të vërtetë, përderisa paraja e vjedhur, pjell sot shumë para “legale” që paguan edhe taksa edhe tvsh.
Do kemi vetëm disa koka të këputura politikisht burgjeve, ndërsa trupi i trusteve, organizatave dhe sipërmarrjeve do shërojë me shpejtësi plagët e goditjeve episodike dhe do vijojë të kontrollojë resurset ekonomike të Shqipërisë. Banka, resorte, miniera, fabrika, hotele, parti, si dhe një frymë thellësisht tregëtare me Interesat Kombëtare të shqiptarëve, të kqyrur prej tyre me përbuzje.
Sepse me Paranë e vjedhur apo tjetërsuar në këto 30 vite mund të ngrihet një Fond Sovran që do të kishte në arkën e vet shumë miliarda dollarë…
Miliarda dollarë të mjaftueshme për Universitete të vërteta dhe Spitale të vërteta, për një Industri të vërtetë dhe një Ushtri të vërtetë që nuk i kemi dhe që mund dhe duhet ti kemi. Shqipëria e djeshme “primitive”, ishte një vend që dikur prodhonte çelik, energji elektrike pa fund dhe kish vetëm pak vite më parë, vetmbrojtjen ushtarake më të përsosur në Ballkan.
Mjerimi është se Kastat e hajdutëve dhe organizatave të tyre të biznesit, përgjithësisht nuk kanë Atdhe tjetër përveç resorteve të tyre, llogarive bankare dhe interesa të shitshme.
Borgjezia shqiptare mjerisht nuk është një Borgjezi Kombëtare që të lidhi pazgjidhmërisht interesat e veta jetike me interesat jetike të Atdheut të shqiptarëve.
E pra, Drejtësia e re duhet ti kthejë Paratë shqiptarëve dhe të mos mjaftohet me mbushjen e burgjeve.
Burgjet janë një gëzim i përkohshëm i turmave dhe i shesheve që duan hakmarrje dhe kokëprerje. Janë thjesht një orgazëm shterpe.
Historia mëson se kokëprerja dhe hakmarrja nuk është Drejtësi e mirëfilltë. Është thjesht një përgjakje që mbyllet si plagë nga sistemi financiar i trashëgimtarëve të Familjeve përfituese të pasurive marramendëse.
Më mirë më pak burg dhe pranga spektakolare dhe shumë e shumë kapitale të kthyera në Arkën e shqiptarëve.
Paratë e sekuestruara janë fitorja e vërtetë e drejtësisë së re shqiptare.
Përderisa këto para nuk rrjedhin lumë nga kasafortat e hajdutëve për në kasafortat e shtetit, drejtësia ka si bilanc, shtrydhjen e ca puçrrave me qelb dhe kaq.
Por ndoshta kjo është të kërkosh tepër nga shqiptarët.
Top Channel