Republika popullore e protestës
Nga Filip Çakuli
Në Shqipëri kemi zgjidhur më në fund problemin 35-vjeçar të pronave.
Jo me Kadastër.
Jo me gjykatë.
Jo me hartë.
Me ullinj!
Dy biznesmenë grinden për një tokë në Palasë. Njëri thotë: “Është e imja, e kam blerë.” Madje thotë se një pjesë e ka blerë dy herë. Tjetri paraqitet me dokumentet e veta dhe me projektin e vet.
Shteti, ndërkohë, është në mes.
Kadastra jep dokumente. AZHT shqyrton projekte. KKTU merr vendime. Investitori merr status strategjik. Arkitektët projektojnë. Marketingu shet vila. Ndërtuesit ndërtojnë.
Dhe në fund shteti pyet:
“Po toka e kujt është?”
Kjo është njësoj sikur noteri të të martojë dhe, pas dasmës, të thotë:
— Prisni pak, të kontrollojmë nëse nusja ishte e martuar!
Por Palasa ka edhe një mrekulli tjetër.
Dokumenti zyrtar për projektin “Delta Falaise” flet për afro 258 mijë metra katrorë, nga të cilat 26 mijë private dhe afro 232 mijë metra katrorë që pretendohet se janë pronë shtetërore.
Pra kemi privat, shtetëror, AMTP, certifikata, investitor strategjik, leje, aplikime, mbivendosje…
Mungon vetëm një gjë e vogël:
Të dimë e kujt është toka.
Pastaj biznesmenët konfliktohen.
Dhe këtu shteti shqiptar shfaqet si Zeusi në tragjeditë greke: zbret nga qielli dhe zgjidh dramën.
— Mjaft! Do ta shpronësojmë!
Shumë bukur.
Po kë do shpronësojmë?
Të parin?
Të dytin?
Të dy?
Dhe zgjidhja me ullishte është madhështore.
Më saktë, “Madhështia e marrëzisë”, siç thoshte Erazmi i Roterdamit.
Në vend që të zbulojmë kush e ka pronën, e marrim pronën.
Në vend që të zbulojmë kush gaboi në Kadastër, mbjellim ullinj.
Në vend që të zbulojmë kush firmosi çfarë, prodhojmë vaj ulliri.
Vetëm një tabelë duhet në hyrje të parkut të ardhshëm:
“ULLISHTJA KOMBËTARE E PRONËSISË SHQIPTARE”
Poshtë saj: “Këtu prehen paqësisht dy AMTP, disa certifikata pronësie, disa projekte turistike dhe pyetja e përjetshme shqiptare: E KUJT ËSHTË TOKA?”
Dhe një tabelë më e vogël: “Ju lutemi, mos i prekni ullinjtë. Mund të dalë pronari.”
Dhe, për të shmangur çdo keqkuptim, në hyrje mund të vendoset edhe një sportel shtetëror:
“Për të hyrë në ullishte, paraqisni dokumentin e pronësisë.”
Nëse keni dy dokumente, kaloni te sporteli i dytë.
Nëse keni tre, merrni numër.
Nëse nuk keni asnjë, mos u shqetësoni: shteti do t’ju japë një projekt, një leje dhe një status strategjik.
Pastaj, kur të ndërtoni vilën, do t’ju pyesë:
— Shumë bukur. Po kush ju tha se toka ishte e juaja?
Dhe nëse përgjigjeni “Kadastra”, do t’ju tregojnë ullirin më të afërt.
Sepse në Shqipëri prona nuk zgjidhet më me ligj.
Zgjidhet me fotosintezë.
Nuk pyesim dhe intetesohemi për thelbin, po për vogëlsira. Si ai burri që i tregon gruas nga spitali, se e kishte përplasur makina, me tre brinjë të thyera, këmbë e duar në allçi. Do kisha vdekur në rrugë, po qëlloi Lola me makinë dhe më solli në spital. Gruaja pyet, cila është Lola…
Top Channel