Dorëheqja shakullimë e ministres Evis Sala

08/09/2026 14:16

*Preç Zogaj

Lajmi ishte në ajër qëkur në Tiranë po përflitej se Ministrja e Shëndetësisë nuk po firmoste, ose kishte lënë të kuptohej se nuk do të firmoste një projektligj, i cili në shembullin e kompanisë shtetërore KAYO të industrisë ushtarake ku shteti është aksioner në minorancë, parashikon të bëjë të njëjtën gjë me tenderat, barnat, pajisjet dhe shërbimet në sistemin e shëndetësisë. Shteti sërish do të jetë aksioner minoritar sa për emër, ndërsa shumicën do ta ketë një konsurcium operatorësh privatë ku deri tani është përmendur me emër konsulli i Izraelit në Tiranë, Sani Sanikevich, i njohur si mik i kryeministrit Rama.

Projekti në formë drafti nuk ka shkuar ende në Kuvend dhe nuk ka si të shkojë pa relacionin dhe firmën e titullarit të ministrit të shëndetësisë. Kur të shkojë, publiku do të kuptojë më shumë se kush janë ortakët dhe pse u dashka krijimi i një monopoli me shpenzimet e buxhetit të shtetit për shendetësinë.

Faktikisht ministrja Sala nuk firmosi përderisa dha dorëheqjen. U provua dhe njëherë se ku ka zë nuk është pa gjë. E shtyu kryeministri të largohej urtë e butë, ndërsa kishte në dorë ta largonte me shkarkim, pra me të keq? U morën vesh të ndaheshin me fjalë të mira pa e zënë në gojë, projektligjin, elefantin në dhomë? Pandehma mund të bëhen plot. E vërteta është se Sala e kishte ndarë mendjen të ikte, siç iku, me ato fjalë kortezie që tha.

Më kot dhe pa të drejtë sipas meje i kërkohet nga disa opozitarë të japë shpjegime, të hapë letrat, të denoncojë, e tjerë e tjerë. Ajo nuk ishte një ministre politike e votuar që ka përgjegjësi para ekektoratit, partisë.

Ishte e katapultuar nga Rama si posedues i pushtetit. Ajo mund t’i jepte këshillë, opinion, por përtej kësaj, zgjidhjet politike ishin dhe janë në tagrin e të mandatuarit me votën e qytetarëve. Ministrat teknikë që vinë nga jashtë politikës e dinë këtë që në krye të herës. Ata kanë vetë një gjë për të shpëtuar kur shohim se një ligj, vendim a akt i qeverisë ku janë ftuar të sherbejnë ka pasoja të dëmshme për vendin sipas tyre: nderin, integritetin, moralitetin personal në kuptimin e gjerë të fjalës. Japin dorëheqjen, largohen, kthehen nga kanë ardhur.
Këtë bëri Sala sa pa mbushur një vit në qeverinë “Rama” katër.

Dorëheqja është akti që jehon më shumë se fjalët, shpjegimet. Është si një shakullimë, siç thoshte Kadare për disa ngjarje që as bërtasin, as prajnë. E gjithë kjo duke patur parasysh se Sala përfaqësonte suksesin në nivele të larta të një gruaje shqiptare në perëndim. Edhe njëherë integriteti i bazuar në arritje personale e sheh veten të sfidohet nga kushti për t’u konformuar me zgjidhje të pandashme që për të zbukuruar vitrinën quhen realpolikë. Gjithçka e parashikueshme për këdo që njeh natyrën fasadë të qeverisjes së Ramës.

E padrejtë të paragjykosh dikë në emigracion që fluturon nga ftesa e kryeministrit për të shërbyer vendin ku ka lindur e është rritur. Por po të shohësh shembujt pararendës mund të kuptosh se Rama i ka parasëgjithash operacione imazhi dhe ekstravaganca këto lloj emerimesh e gjestesh.

Vite më parë mori dhe publikoj një letër të mbyllur duke iu përgjigjur me letër të hapur një mjekeje të shquar shqiptare në Ferrara të Italisë, e doktoruar në shkencat Pneuno-Ikardio-Torakale në universitetin e Bolionjës. Brunilda Marku quhej. Ajo e mori seriozisht “vullnetin” e shprehur të kryeminstrit për reformimin e sistemit mjekësor në Shqipëri. U ftua dhe erdhi me shpenzimet e veta në konferenca të bujshme, por kur pa hendekun mes fjalëve dhe veprave iku e dëshpëruar nga kishte ardhur. Më pyeti njëherë babai i saj që e kam mik: Çfarë ishte kjo? Letra e hapur, i thashë me të qeshur. Kaq i duhej Ramës. Propaganda gjithçka, puna diçka, është motoja e tij. Aq e vertetë është kjo sa ndërsa me propagandë është gjithmonë në maja, me punë ia nis periodikisht nga e para. Siç është së fundi “Pasqyrë Shqipëria”. A thua nuk ka ekzistuar “Shqipëria që duam” para saj.

Për t’u kthyer ku e nisëm, rasti i Evis Salës “djeg” një tjetër sprovë në atdhe të elitave shqiptare në perendim dhe shtron (duhet të shtrojë) për diskutim një temë shumë më të rendësishëm se sa detajet e dorëheqjes: A ka vend, a bën Shqipëria për këta bij dhe bija?

Sa i takon” enigmës” së dorëheqjes së saj e sqaroi fare mirë Rama me fjalën “ besnike” që përdori për ministren e re. Firma për konçensionin e ri të shëndetësisë nuk është problem nëse duhet. Prania besnike nuk njeh mëdyshje.

Top Channel