Analiza/ Filip Çakuli: Edhe të lë prift, edhe të rruan mjekrën
Nga Preç Zogaj
Kryeministri Rama ka reflektuar ndaj protestës rinore popullore që po shkon drejt ditës së nëntëdhjetë. “Besa”, “Prania besnike” dhe “ Pasqyrë Albania” janë tri invencionet e tij të lidhura në një bulë ala papale.
Megjithëse e sajuar nga bashkimi i katër germave nistore të fjalëve besim, empati, shërbim dhe angazhim, fjala besa që del nga ky akronim i kërkuar shkollarësh përthithet menjëherë nga fjala homonime Besa që emërton një prej kodeve morale më të vjetra të racës sonë.
Si e tillë ajo përcillet në komunikimin publik në kuptimin e parë, sikur kryeministri ka thirrur në skenë besën e hershme për t’u përballuar me zhvillime korente.
Nuk mund të vemë në dyshim apriori qëllimet e tij të mira. Por “Besa” dhe “prania besnike” janë terma pa kuptim për fjalorin e politikanëve perëndimorë.
Të cilët nuk i dëgjojmë kurrë t’u përgjigjen arsyeve që ngrenë në këmbë mijëra qytetarë me fjalë që emërtojnë kode morale shekullore apo disiplinën e partisë-shtet.
Në kohën që jetojmë ka vetëm një aspiratë që do të përligjte një besëlidhje popullore të madhe: Anëtarësimi me titull të plotë në Bashkimin Europian. Por kjo besëlidhje ka lindur e lidhur prej 34 vitesh.
Sot e gjithë ditën, 98 përqind e shqiptarëve mbështesin hyrjen e vendit në BE.
Ata që e kanë vonuar këtë ëndërr janë partitë e establishmentit, krerët e tyre, Berisha, Rama e të tjerë.
Të cilët kanë dashur dhe duan të pamundurën: një integrim të llojit propagandistik që nuk cënon sundimin e tyre prej bajraktarësh politikë në qeveri dhe në kazermat partiake përkatëse.
Sot për sot, rreziku më i parë që Shqipëria të mos e prekë ëndrrën e integrimit në afatin e vënë janë piruetat gjeopolitike të Ramës që vënë në dyshim besnikërinë dhe luajalitetin e tij ndaj kodeve të familjes politike europiane ku duam të bëhemi pjesë, janë qëndrimet e tij dekurajuese dhe frenuese për aq sa ka në dorë të hetimeve në sferat e larta.
Në aktualizmin e saj ndërsa po lançohet në mbledhje të njëpasnjëshme partiake, “Prania besnike” e bjerr, nëse e ka, kuptimin e shërbimit më devotshmëri të njerëzve pa dallim nga shtetpartia.
Mbetet kuptimi i farkëtuar nëpër dekada në partitë tona antidemokratike, që është ai i shtrëngimit të radhëve, i homogjenitetit, i besnikërisë staliniste-enveriste ndaj njëshit, injorimit, denigrimit dhe deri përjashtimit të atyre që mendojnë ndryshe.
Prania besnike tingëllon si paralajmërim. “Armikun” kemi përballë. O me mua, o kundër meje. O grushtbashkuar rreth partisë, ose jashtë saj. Nuk ka të mesme. Si e tillë, prania besnike shndërrohet në kushtrim për rrethimin e ri të zgjedhjeve të radhës me ushtrinë e zyrtarëve, nëpunësve publikë, patronazhistëve, mjaft prej të cilëve janë nëpunës publikë gjithashtu.
Si? Përveçse duke përditësuar të dhënat e regjistrit të famshëm të zgjedhësve të sigurtë, apo potencialë të PS-së ndër vite, listë e menaxhueshme nominalisht nga sistemi në një vend të vogël si Shqipëria, futet në lojë “Pasqyrë Albania”, emri i ri i portalit “Shqipëria që duam”, që siç mund ta kujtojë gjithkush ka qenë lançuar me bujë të madhe shumë vite më parë nga zoti Rama.
Jemi në të njëjtën fabul regjimesh ku rrjeti i zyrave të pritjes së popullit dhe sistemi i letrave nga populli pardje, platforma “Shqipëria që duan dje” dhe “Pasqyrë Shqipëria” nga nesër e tutje marrin përsipër të zgjidhin halle dhe probleme inviduale që njerëzve ua krijon kryesisht sistemi, administrata publike. Me një dorë ua krijon, me tjetrën me gjasë do t’ua zgjidhë duke i futur në borxhin e mirënjohjes. E njëjta histori, me ndyshimin se kur ishte me pritje populli, qytetari e shihte dhe fliste me zyrtarin. Tani nuk e sheh më.
Qeveria, bashkitë, institucionet kanë detyrimin të merren me ankesat vetjake të njerëzve. Por qoftë “Prania besnike”, qoftë “Pasqyrë Shqipëria” shënojnë në rastin më të mirë horizontin e ngushtë dhe kuptimin seplicist të kryeministit për arsyet e thella të protestave dhe pakënaqësive në vend…Duket sikur kryeministri kërkon t’u marrë shesheve njerëzit që dalin për një hall vetjak dhe kaq. Të tillë ka e do të ketë, por protestat, kërkesat dhe pritshmëritë popullore janë tjetër gjë.
Protestuesit në rrugë dhe mijëra të tjerë anembanë vendit e kanë me dështimet e qeverisë, me çfarë nuk shkon në vend. Te zgjidhjet e mira për të gjithë marrin përgjigje pa hyrë në borxh edhe hallet vetjake. Çfarë përgjigje mund të japë fjala vjen “Pasqyra Albania” për shpopullimin, trendin në rënie të fortë dhe plakjen e popullsisë? Po për modelet antizhvillim që kanë goditur rëndë bujqësinë dhe blegtorinë në vend me turistë të huaj që edhe kur janë elitarë e sjellin ushqimin vetë, në kuptimin që konsumojnë këtu prodhime të vendeve nga vinë? Po për monopolet, oligopolet dhe paratë e pista që vrasin shanset e barabarta dhe konkurencën e ndershme? Po për gjysmën e ushqimeve që shqiptarët i paguajnë më shtrenjtë se Europa? Po për pensionet qesharake? Po për kthimin dhe kompensimin e tokave ish pronarëve, ndërkohë që qeveritë pa përjashtim kanë dorovitur toka publike pa u kthyer borxhin ish pronarëve?
Përmenden fare pak shembuj nga lista e gjatë e shembujve që nuk i nxë “Pasqyrë Shqipëria”. Sikurse nuk zë as nevojën urgjente për t’u kthyer qytetarëve të drejtën për t’i zgjedhur me emër, me sistem mazhoritar apo proporcional me lista të hapura deputetët e tyre.
Mjerisht, në gjithë reflektimin e deritanishëm të kryeministrit për protestat dhe situatat që po kalon vendi spikat forcimi i metejshëm i shtetpartisë së tij elektorale pa ideologji, që vepron vetëm si ide dhe mekanizëm pushteti. Vjen gjithmonë një moment, thonë të urtit, kur te forca është dobësia. Ky është rasti.
*Ky shkrim është pjesë e projektit ‘PRODEMOCRATIA, një partneritet mes INSTITUTIT PASHKO dhe media MAPO, për te analizuar zhvillimet e demokracisë shqiptare.
Top Channel