Kujt ka gjasa t’ia japin votën banorët e rritur të bashkive që do të zgjerohen
Nga Valon Murati
Ka një reagim kundër pushtetit në Serbi nga vendet evropiane, përfshirë Bashkimin Evropian, për varrimin me nderime shtetërore dhe ushtarake të Ratko Mlladiçit, të dënuar ndër të tjera për gjenocid në Srebrenicë në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi. Ajo që duket qartazi është habia e evropianëve dhe figurave të ndryshme intelektuale dhe politike perëndimore ndaj kësaj qasjeje të Beogradit zyrtar, duke e konsideruar si madhërim të një krimineli të luftës dhe përpjekje për ndryshimin e historisë.
Natyrisht kjo ka një histori, që ka shtruar rrugën për këtë trajtim të kriminelëve të luftës në Serbi dhe në përgjithësi për rolin e Serbisë në luftërat në ish-Jugosllavi. Ndonëse më së shumti serbë janë paditur dhe gjykuar nga ky tribunal, dhe ndonëse Serbia u bombardua nga NATO-ja në pranverën e vitit 1999 për masakrat që i bënte në Kosovë, asnjë regjim në Beograd, edhe pas ndryshmeve të vitit 2000, nuk e trajtoi regjimin e Millosheviçit si përgjegjësin kryesor të luftërave dhe vuajtjeve sidomos të boshnjakëve, shqiptarëve, kroatëve por edhe të vetë serbëve në procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë.
Tribunali i Hagës, i krijuar në vitin 1993, ishte tribunali i parë ndërkombëtar pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Në Nuremberg, udhëheqja naziste jo vetëm që u dënua individualisht, por edhe një sërë organizatash si Partia Nacional Socialiste, Gestapoja, Trupat SS, etj, u shpallën organizata kriminale dhe iu ndalua aktiviteti. Në Gjermani e Austri më pas ndodhën, për aq sa ndodhën procesi i denaziifikimit (nevojat e Luftës së Ftohtë krijuan rrethanat të ky proces të zbutej).
Edhe në Japoni u dënuan udhëheqësit japonez të luftës në Tribunalin e Tokios. Në asnjë rast nuk kishte dënim për aleatët, përkundër faktit se edhe ata kishin qenë të përfshirë në një sërë vrasjesh, bombardimesh të civilëve e deri tek hedhja e bombave atomike në Hiroshimë dhe Ngasaki. Natyrisht fituesit, që ishin edhe në anën e drejtë të historisë, i bën gjyqin edhe penal, edhe politik e edhe historik, humbësve, që kishin shkaktuar Luftën e Dytë Botërore me politikat e tyre jo vetëm ekspansioniste por edhe jo njerëzore.
Zhvillimi i të drejtës penale ndërkombëtare në kontekstin e pas Luftës së Dytë Botërore shkoi drejt fuqizimit të konceptit të përgjegjësisë individuale në zinxhirin komandues ushtarak dhe politik. Por në rastin e Tribunalit për ish Jugosllavi në Hagë, u shkua larg dhe u dërgua mesazhi politik (që po ashtu ishte natyrisht një kompromis politik në kuadër të OKB-së edhe me Rusinë) se ndonëse Serbia mund të jetë më shumë fajtore, të gjithë janë fajtorë për luftërat në ish-Jugosllavi.
Kështu rezultati, pajtimi ndëretnik dhe dënimi i krimeve të luftës dhe një lloj pranimi i fajeve, nuk arriti rezultatin e duhur. Në njërën anë ky mesazh krijoi pakënaqësi tek kroatët, boshnjakët e shqiptarët, e në anën tjetër u shfrytëzua maksimalisht politikisht nga politika serbe për të rehabilituar jo vetëm kriminelë të caktuar të luftës, por për të relativizuar edhe vetë rolin e Serbisë në këtë proces.
Kulmi i relativizmit të peshës së krimeve të luftës në mes të agresorit dhe atyre që luftuan për çlirim, liri dhe mbrojtën vendin e tyre, ishte presioni ndërkombëtar, prapë në një kontekst të caktuar politik të raporteve me Rusinë, që Kosova të krijoi Dhomat e Specializuara për trajtimin e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit në Kosovë.
Një gjykatë që ndjek vetëm një etni, vetëm shqiptarët dhe vetëm pjesëtarët e UÇK-së në një vend ku ata ishin viktimat dhe luftuan për liri e u përballën me një makineri të sofistikuar vrasëse shtetërore. Një gjykatë e themeluar për të ndjekur shqiptarët për krime të luftës, në kohën kur të gjithë e dimë se drejtësia në Kosovë, për krimet e kryera nga pushtuesi serb, as përafërsisht nuk është konsumuar.
Top Channel