Nga Albert Prenkaj

Plotësim-ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara – imperativ i momentit historik.

Madje, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Prishtinë, deklaroi se: “I takon Kosovës të vendosë. E rëndësishme është që të garantohet pavarësia e gjyqësorit.“

Amendamantimi kushtetues dhe Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar u miratuan nga Kuvendi i Kosovës më 3 gusht 2015. Këtyre u parapriu shkëmbimi i letrave Jahjaga–Ashton në vitin 2014. Pra, procesi juridik dhe institucional që çoi në themelimin e Dhomave të Specializuara nisi me shkëmbimin e letrave.

Në kuptimin e së drejtës ndërkombëtare, një “shkëmbim letrash“ (Exchange of Letters/Notes) mund të përbëjë një marrëveshje ndërkombëtare. Në rastin konkret, vetë Dhomat e Specializuara e përshkruajnë shkëmbimin e letrave si një marrëveshje ndërkombëtare, e cila u ratifikua nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2014.

Kjo ka rëndësi edhe në aspektin e hierarkisë juridike. Sipas nenit 19 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara dhe normat juridikisht të detyrueshme të së drejtës ndërkombëtare kanë epërsi ndaj ligjeve të Republikës së Kosovës.

Në të drejtën ndërkombëtare ekziston parimi pacta sunt servanda, marrëveshjet duhet të respektohen dhe të zbatohen me mirëbesim. Në këtë kuadër, neni 27 i Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve përcakton parimin se një shtet nuk mund të invokojë të drejtën e tij të brendshme si justifikim për moszbatimin e një traktati.

Ajo që po përpiqem të them është se çdo plotësim-ndryshim i Ligjit për Dhomat e Specializuara duhet të trajtohet me shumë kujdes dhe të koordinohet me Brukselin zyrtar dhe me shtetet kryesore të Bashkimit Evropian. Që një ndryshim i tillë të jetë efektiv dhe i zbatueshëm në praktikë, ai duhet të jetë i harmonizuar me detyrimet ndërkombëtare që burojnë nga korniza juridike mbi të cilën u themeluan Dhomat e Specializuara.

Prandaj, plotësim-ndryshimi i ligjit nuk duhet të shihet si një çështje e brendshme ligjore. Edhe pse për Brukselin zyrtar ky shkëmbim letrash mund të mos paraqes ndonjë obligim, mendoj se kërkohet një qasje të koordinuar ndërkombëtare, në mënyrë që çdo ndryshim të jetë juridikisht i qëndrueshëm dhe politikisht i bashkërenduar me partnerët ndërkombëtarë.

Paraprakisht, për të ndërmarrë të gjithë këtë proces, Kosovës i duhet konsensus i brendshëm – por jo vetëm konsensus deklarativ; Kosovës i duhet konsensus veprimi.

Top Channel