“Videot intime qarkullonin prej një viti”/ Grida Duma në Top Story: Popullit jepi “show” dhe puseta mbyllet. Gazetari Harlicaj: Asnjë denoncim në polici

30/09/2026 22:19

“Bukë dhe cirk në mes të skandaleve” është tema e emisionit Top Story sonte, që në qendër ka videot e shumta intime të personazheve të ndryshme të “showbizz”, të publikuara dhe të shpërndara gjerësisht në rrjetet sociale dhe në “website”.

Në hapjen e emisionit, drejtuesja e emisionit, Grida Duma la të kuptohej se këto skandale, në këtë moment shërbejnë për të mbuluar skandalet e tjera të lidhura ngushtë me politikën.

“Disa rastësi janë një ligjësi. Kur skandalet në politike janë në majën më të lartë, ndodh një tjetër hedhje në treg të një vëmendje që i tejklalon të gjitha sepse lidhet me moralin, që shqiptarët e kanë të rëndësishme dhe thonë më e keqe se vdekja është turpi. Thuhet se jepi popullit shown, arenën dhe gladiatorët dhe kapaku i pusetës mbyllet. Linçimi ka funksionuar gjithnjë si një armë e fortë”, u shpreh Grida Duma.

Gazetari Eraldo Harlicaj nga ana tjetër raportoi nga drejtoria e policisë, ku u shpreh se këto video qarkullojnë prej një viti dhe shpërndarja masive mund të ishte parandaluar.

“Krimi kibernetik ka qenë në alert. Është vërtetuar që nuk ka materiale pedofilike. Nuk ka pasur asnjë denoncim në lidhje me videot dhe është nisur një hetim. Katër akuzat e ngritura nuk i adresohen një personi konkret, hetimi është fokusuar te portalet dhe rrjetet sociale që i kanë shpërndarë. Zanafilla ka qenë shpërndarja në “site” pornografike. Kemi pasur një denoncim që nga shtatori 2025 që këto video ekzistonin dhe qarkullonin.

Një koleg më ka vënë në dijeni të ekzistencës së këtyre videove. Përveç faktit që ishin këto personazhe të showbizz, në atë “site” ishin shpërndarë edhe video çiftesh familjare në ambientet e tyre. Është e çuditshme që marrin rrjedhë në këto momente, teksa duhet thënë se duheshin parandaluar. Bëhet fjalë për qindra video, jo vetëm për këto personazhe të shoë bizz, por edhe njerëz të tjerë. Duhet të ndalohen dhe të hiqen”, u shpreh Harlicaj.

Top Channel