2.6 mln euro të sekuestruara/ Hasko, ortaku i Bedinajt dhe “molla e sherrit” të konfliktit mes dy biznesmenëve në Palasë
Kryeministri Edi Rama mbrojti përfshirjen e arkitektëve të huaj në projektet e zhvillimit urban në Shqipëri, duke kundërshtuar kritikat se këto ndërhyrje realizohen jashtë standardeve apo në dëm të pronarëve dhe banorëve.
Sipas Ramës, në Shqipëri nuk ka ndodhur që qytetarët të nxirren me forcë nga banesat për t’i hapur rrugë një investimi privat dhe as pronarëve nuk u është mohuar e drejta për të vendosur nëse duan apo jo të zhvillojnë pronën e tyre.
Rama tha se bashkëpunimi me arkitektë të njohur ndërkombëtarë u krijon profesionistëve të rinj shqiptarë mundësinë të punojnë drejtpërdrejt me emra të nivelit të lartë të arkitekturës. Ai e cilësoi Shqipërinë dhe Tiranën si “universitetin më të madh të hapur të arkitekturës në natyrë”, ndërsa shprehu bindjen se në vitet e ardhshme arkitektë shqiptarë do të jenë në gjendje të konkurrojnë edhe jashtë vendit.
Kryeministri pranoi se Shqipëria nuk i ka ende të gjitha kapacitetet dhe dijet e nevojshme për projekte komplekse, si ndërtimi i kullave, por tha se përmes bashkëpunimit me profesionistë ndërkombëtarë po hidhen “bazat e një shkolle të re të arkitekturës shqiptare”
“Absurditeti me demek ne projektet tona ne bëjmë nxjerrje me forcë nga shtëpitë të njerëzve për të imponuar projekte që arkitektët i bëjnë pa patur parasysh njerëzit.
Kjo është mungesë respekti për personalitet e një bote që ka më shumë përgjegjshmëri dhe sens të përkatësisë ndaj vendit se kanë komentatorët e punëve të tyre dhe është totalisht e pavërtetë.
Nuk ka ndodhur në Shqipëri asnjëherë që të nxirret dikush me forcë nga shtëpia për t’u zhvilluar një investim privat dhe asnjë privati nuk i është mohuar e drejta e tij për të zhvilluar apo jo një projekt.
Ne me zaptuesit që janë pjesë e proceseve të legalizimit, edhe për ata ligji është shumë i qartë dhe asnjëherë nuk kemi mbajtur anën e pronarit apo zhvilluesit, nuk ka garanci që të jepet një kontratë qiraje dikujt tjetër, për një nr. të caktuar vitesh e të paguhet nga zhvilluesit derisa qytetari të hyjë në programet e strehimit që i trajton bashkia.
Pyetje tjetër – arkitektë të huaj vijnë në Shqipëri për të bërë art washing, bulldozer politics dhe për të realizuar gjëra që janë jashtë standardeve.
E vërteta është krejt ndryshe, kemi patur diskutime për zhvillimin, pengesat që kanë dalë në zhvillimin urban dhe arkitektonik, por nuk do të thotë që ne në Shqipëri ndërtojmë pa rregulla apo bëjmë diçka që në vendet e tjera është e papranueshme dhe e palejueshme.
Në fakt ka diçka shumë të qartë për mua që është xhelozia e njerëzve mediokër dhe të njerëzve të cilët kapen pas nacionalizmit, pasaportës, kapen pas faktit që janë pjesë e komunitetit lokal dhe nuk kapen pas profesionit, argumentave dhe mundësive për të qenë konkurrues. Ndërkohë që janë shumë arkitektë dhe shumë profesionistë të rinj shqiptarë që janë pjesë e këtij transformimi dhe pjesë e punës me arkitektë të huaj.
Dhe kjo e bën Shqipërinë vendin ku arkitektët vendas kanë mundësi më shumë se vende të tjera që të rriten profesionalisht, që të punojnë me arkitektë që janë në nivelin më të lartë sot të mendimit dhe të profesionit.
Sot Shqipëria dhe Tirana janë universiteti më i madh i hapur i arkitekturës në natyrë.
Sot arkitektët kanë mundësi të takojnë, të ndjekin, të punojnë konkretisht me mjeshtra.
Për të shkuar të bësh 1 stazh 1-mujor në studio e këtyre mjeshtrave që janë sot, duhet të aplikosh dhe ke shans 1 në një mijë, mund të rrish në studion e tyre dhe s’mund të kesh kurrë shansin të flasësh sy më sy me arkitektin.
Ndërkohë që ky arkitekt vjen dhe ti je pjesë e projektimit bashkë me të.
Jam i bindur që disa vite më pas ne do të kemi arkitektë tanët që do të jenë në gjendje të konkurrojnë edhe përtej Shqipërisë dhe do të kemi 2, 3 emra shqiptarësh që do të jenë pjesë e kësaj elite.
Të mos harrojmë që ndërtimi i kullave është kaq kompleks, kaq delikat dhe kërkon kaq profesionistë të bërë bashkë, saqë ne duhet ta pranojmë që ne në Shqipëri nuk i kemi kapacitetet dhe dijet për ta bërë këtë gjë.
Hedhim bazat e një shkolle të re arkitekture shqiptare”, u shpreh kryeministri.
Top Channel